Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se po vazhdon monitorimin e ujit të pijshëm të KRU “Prishtina” që vjen nga liqeni i Badovcit.
Pavarësisht se është vërejtur ulje e vlerave të manganit në këtë ujë, nga IKSHPK-ja është theksuar se uji vazhdon të mos jetë në vlerën e duhur për përdorim të pijes.
Sipas IKSHPK-së ndotja e ujit me Mangan është ndotje kimike dhe se me vlimin e ujit, Mangani nuk eliminohet, siç duhet të veprohet te rastet me ndotje bakteriologjike të ujit, prandaj, për momentin është i papijshëm.
Njoftimi i plotë:
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka vazhduar monitorimin e ujit për pije të Ujësjellësit Rajonal KRU “Prishtina” që vjen nga liqeni i Badovcit.
Gjatë analizave të kryera gjatë ditëve të fundit, vërehen ulje e vlerave të Manganit, por megjithatë, këto vlera ende janë mbi vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.
IKSHPK thekson se ndotja e ujit me Mangan është ndotje kimike dhe se me vlimin e ujit, Mangani nuk eliminohet, siç duhet të veprohet te rastet me ndotje bakteriologjike të ujit. Prandaj, për momentin është i pa përdorshëm për pije.
Ekipet e IKSHPK-së do të vazhdojnë të monitorojnë ujin e pijes nga liqeni i Badovcit edhe gjatë ditëve në vijim, ndërkohë që është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU “Prishtina” për stabilizimin e gjendjes së krijuar së krijuar si pasojë e “fenomenit” të Manganit në ujin e pijes.

/Motilokal.com
