Ulen vlerat e manganit në liqenin e Badovcit, por uji vazhdon të mbetet i papijshëm

Ulen vlerat e manganit në liqenin e Badovcit, por uji vazhdon të mbetet i papijshëm

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës ka vijuar monitorimin e ujit të pijshëm të ujësjellësit rajonal KRU “Prishtina”, që furnizohet nga liqeni i Badovcit, pas rishfaqjes së niveleve të larta të manganit javën e kaluar. Analizat e kryera gjatë fundjavës tregojnë një ulje të vlerave të manganit.

IKSHPK thekson se këto vlera ende janë të larta se sa vlerat e lejuara sipas Udhëzimit Administrativ Ne: 10/2021 “Për cilësinë e ujit të destinuar për konsum nga njeriu”.

Sipas këtij udhëzimi, standardi i paraparë  për vlerat e lejuara të manganit në ujin e pijes është 0.05 mg/L. Ndërsa, sipas analizave të kryera ditëve të fundjavës, vlerat më të larta të regjistruara sillen prej 0.102 - 0.0230 mg/L.

Tutje bëhet e ditur se ekipet e IKSHPK-së vazhdojnë të monitorojnë ujin e pijes nga liqeni i Badovcit edhe gjatë ditëve në vijim.

Ndërkohë, mbetet në fuqi rekomandimi që uji që vjen nga ky liqen të mos konsumohet për pije dhe të përdoret si ujë teknik për higjienë personale dhe ambientale.

“Ju rikujtomë se mangani konsiderohet një lëndë ushqyese thelbësore dhe kontribuon në shumë funksione trupore, duke përfshirë metabolizmin e aminoacideve, kolesterolit, glukozës dhe karbohidrateve, në formimin e kockave, mpiksjen e gjakut dhe reduktimin e inflamacionit, por në vlera të shtuara në ujin e pijshëm, sillet si ndotës dhe ka ndikim të dëmshëm në shëndet, e posaçërisht tek fëmijët deri në 5 vjeçe nëse përdoret për një kohë më të gjatë”, thuhet në njoftim.

IKSHPK thotë se duke pasur parasysh që vlerat e manganit ende janë të larta, mbesin në fuqi rekomandimet e dhëna për  KRU “Prishtina” që:

• Të kontrollohet procesi i dezinfektimit në mënyrë që vlera e klorit (Cl) rezidual të jetë 0.1-0.2mg/L;

• Të përcillet ndotja organike (TOC) në ujin e liqenit dhe në rrjetin shpërndarës;

• Të zbatohen procedurat standarde për trajtimin e ujit në situata si kjo;

• Të bëhet shpëlarja e rrjetit shpërndarës magjistral dhe segmenteve të vogla;

• Të  sigurohet ujë higjienik për pije për qytetarët.

IKSHPK njofton se është në bashkëpunim të vazhdueshëm me KRU “Prishtina” për të monitoruar dhe ndërmarrë veprimet e nevojshme për tejkalimin e situatës së krijuar si pasojë e “fenomenit”  të manganit në ujin e pijes.

/Motilokal.com