Propozimi i Komisionit Evropian për të vendosur tarifa kundërbalancuese përfundimtare për importin e automjeteve elektrike me bateri (BEV) nga Kina mori mbështetjen e nevojshme nga vendet anëtare të BE-së, njoftoi Komisioni.
Komisioni tani mund të rrisë normën doganore deri në 35 për qind nga 10 për qind ekzistuese. Ky vendim duhet të hyjë në fuqi në fund të muajit tetor.
Qëllimi i rritjes së tarifave doganore është rivendosja e kushteve të drejta të konkurrencës në treg me prodhuesit që përfitojnë nga subvencione të mëdha publike.
Kina, nga ana e saj, dënon këtë qasje "proteksioniste" dhe ka nisur tashmë hetimet anti-dumping për produkte të tilla si mishi i derrit, produktet e qumështit dhe pijet alkoolike me bazë verën të importuara nga Evropa, si dhe konjakun.
Gjermania, e cila është më së shumti kundër vendosjes së tarifave ndëshkuese për makinat kineze, nuk arriti të grumbullojë një pakicë bllokuese. Ajo ka frikë nga hakmarrja kineze që mund të godasë industrinë e saj të automobilave. Vetëm katër vende iu bashkuan Hungaria, Sllovakia, Sllovenia dhe Malta.
Për vendimin e Komisionit ishin dhjetë vende anëtare, ndërsa pjesa tjetër abstenuan.
Meqenëse shtetet anëtare janë të ndara për këtë çështje nuk kërkohej një shumicë e cilësuar, pra të paktën 15 shtete anëtare që përbëjnë të paktën 65 për qind të popullsisë së BE-së, as pro dhe as kundër vendimit. Komisioni tani ka një dorë të lirë për të vendosur detyrime kundërbalancuese, të cilat do të zbatohen edhe për modelet e prodhuara në Kinë dhe në pronësi të jo-kinezëve.
Në të njëjtën kohë, Komisioni vazhdon dialogun me Kinën në përpjekje për të gjetur një zgjidhje të negociuar dhe tarifat shtesë mund të hiqen sapo të gjendet një kompromis.
/Motilokal.com
