Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri” në vazhdimësi është duke u ballafaquar me probleme të shumta të veprimeve ilegale në territorin e parkut.
Sipas njoftimit të AMMK-së së fundmi janë shtuar rastet e veprime ilegale të motoristëve dhe veturave për bjeshkatari duke shfrytëzuar ilegalisht terrenin e Parkut Kombëtar “Sharri” për lëvizje dhe gara të ndryshme në pronat publike dhe private.
AMMK thotë se këto veprime po shkaktojnë ndërhyrje të drejtpërdrejt në prishjen e peizazheve natyrore, ndotjen e mjedisit, krijimin e mbeturinave si dhe po ndikojnë negativisht në shqetësimin e kafshëve të egra që jetojnë në këto zona me vlera të mëdha te biodiversitetit.
“Përkundër përpjekjeve dhe paralajmërimeve të vazhdueshme për parandalimin e këtyre aktiviteteve ilegale përmes shkresave informuese, kërkesave dërguar Policisë së Kosovës që të ndalojë këto aktivitete, kallëzimeve penale, vërejtjeve etj., deri më sot nuk janë përfillur veprimet e AMMK përkatësisht të stafit të DAPK ‘’Sharri’’”, thuhet në njoftim.
AMMK paralajmëron se në javët dhe muajt në vazhdim me qëllim të parandalimit të këtyre aktiviteteve ilegale do të intensifikohen angazhimet në bashkëpunim me institucionet relevante dhe do të veprohet përmes ndërmarrjes së masave shtesë në kuadër të së cilave ndaj kryerësve të këtyre veprimeve do të shqiptohen gjoba bazuar në legjislacionin në fuqi, do të konfiskohen mjetet motorike si dhe do të ngritën kallëzime penale për shkeljet ligjore.
Andaj AMMK përkatësisht Drejtoria për Administrimin e Parkut Kombëtar “Sharri”, paralajmëron të gjithë ata që janë duke kryer këto veprime që të tërhiqen nga këto aktivitete ilegale, sepse në të kundërtën do të përballen me masa ligjore përkatëse.
/Motilokal.com
