Kosova në këtë verë u përball me temperatura të larta dhe thatësirë të madhe. Kjo gjendje vazhdoi deri në fillim të shtatorit, duke dëmtuar rendimentet e disa kulturave bujqësore.
Ndryshimet klimatike po bëhen gjithnjë e më të dukshme, duke sjellë kushte ekstreme që përfshijnë valë të të nxehti, rreziqe për rezervat ujore, stuhi dhe breshër. Këto fenomene po ndikojnë jo vetëm në prodhimtarinë dhe të hyrat e fermerëve, por edhe në ekonominë e vendit, duke përkeqësuar situatën e sigurisë ushqimore dhe duke sfiduar kapacitetet e menaxhimit të burimeve natyrore.
Për ta kuptuar më mirë ndikimin e ndryshimeve klimatike dhe temperaturave të larta që mbizotëruan gjatë stinës së nxehtë në Kosovë, motilokal.com zhvilloi një intervistë me agroekonomistin Fatmir Selimi.
Intervistoi: Shëlzen Rrecaj
Si e vlerësoni gjendjen e bujqësisë për vitin 2024, duke pasur parasysh verën më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë?
Temperatura të larta të këtij viti besoj se do të shërbejnë si një mësim i rëndësishëm për bujqit tanë. Ata duhet të kuptojnë se ndryshimet klimatike janë një realitet që kërkon adaptim. Mendoj se kemi arritur rezultate shumë të mira në kulturën e grurit, pasi disa periudha kanë qenë shumë të favorshme për të. Rendimentet e grurit këtë vit kanë qenë shumë të larta.
Megjithatë, kemi hasur në probleme në disa zona, ku breshri dhe reshjet e tepërta, sidomos gjatë periudhës së vjeljes së mjedrës në Prizren, e kanë shkatërruar plotësisht prodhimin. Kjo ka pasur një ndikim të madh në situatën e përgjithshme. Si vit, mund ta klasifikojmë jo aq të keq, pasi zakonisht thuhet se lagështia dëmton prodhimin, por dielli ka kontribuar në rezultatet e mira. Shpresojmë se bujqit do të adaptohen më mirë ndaj këtyre ndryshimeve dhe do të arrijnë rezultate edhe më të mira në të ardhmen.
A mund të tregoni se si kanë ndikuar temperaturat e larta dhe thatësira në prodhimin bujqësor këtë vit? Cilat kultura janë prekur më shumë?
Temperaturat e larta patën një ndikim të dukshëm në disa prej prodhimeve, duke ndalur rritjen e tyre në gjysmë. Kjo ndikoi në rënien e rendimentit të kulturës së rrushit, megjithatë, cilësia e tij ka qenë më i mirë për shkak të përmbajtjes më të lartë të sheqerit.
Në pjesën e dytë të vitit, pas korrikut, ndikimi negativ është vënë re veçanërisht te kultura e misrit. Gjatë formimit të kokrrës, kemi pasur thatësira të mëdha dhe si rezultat i temperaturave mbi 30 gradë, kulturat që vjelën në vjeshtë ishin më shumë të prekura. Duhet theksuar se ato zona që nuk kishin qasje në ujitje e përjetuan më shumë dëmin, ndërsa në zonat me qasje në ujitje, rezultatet ishin më të mira dhe pritet një prodhim më i suksesshëm.
A ka pasur rritje të humbjeve ekonomike për fermerët si rezultat i kushteve klimatike ekstreme?
Për fermerët, kostoja e mbjelljes është rritur dhe kjo nuk është vetëm pasojë e kushteve klimatike, por edhe e rritjes së kostove të inputeve dhe fuqisë punëtore. Nuk mund të llogarisim se ndikimi i kushteve klimatike është shkaku i vetëm për fitimin apo humbjen e familjeve që merren me bujqësi në Kosovë.
Zakonisht, bizneset familjare dhe fermerët e specializuar kanë qenë më të suksesshëm. Ata që kanë pasur mundësi për ujitje dhe e kanë përgatitur tokën siç duhet, nuk kanë pasur humbje të mëdha. Edhe pse disa prej tyre kanë patur humbje dhe rendimente më të ulëta të prodhimit, produktet e tyre do të jenë më kualitative dhe do të kenë çmime të mira.
Për bujqit e vërtetë, dëmet kanë qenë të limituara dhe ata do të mësojnë më shumë për ndryshimet klimatike, duke u përshtatur për vitin e ardhshëm.
Çfarë masash duhet ë ndërmerren nga institucionet përgjegjëse të Kosovës për të mbrojtur bujqësinë nga nxehtësia dhe thatësira?
Ministria e Bujqësisë dhe institucionet përgjegjëse të Kosovës subvencionojnë fermerët me grante për t’i ndihmuar ata në punën dhe zhvillimin e prodhimeve të tyre. Përmes këtyre grantave, ofrohen teknologji të reja, si mbrojtja nga breshri, sistemi pikë-pikë, si dhe inovacione të tjera.
Megjithatë, institucionet përgjegjëse të Kosovës kanë siguruar gjithashtu sigurime bujqësore, të cilat ishin aktive deri në vitin e kaluar përmes IFC-së, program ky i Bankës Botërore. Këto iniciativa kanë tentuar t’i nxisin fermerët ta mbrojnë së paku koston e prodhimit.
Fatkeqësisht, fermerët ende nuk janë të edukuar mjaftueshëm për ta bërë sigurimin e rregullt të kulturave. Këtë vit nuk ka pasur sigurime për shkak të ndryshimeve në program. Prandaj, presim që sigurimet bujqësore dhe teknologjitë e reja të jenë masa që qeveria do të ndërmarrë për t’i ndihmuar fermerët të përballen me sfidat që po paraqiten së fundmi.
Sa të përgatitur janë fermerët për të përballuar këto ndryshime të papritura klimatike në të ardhmen? A ka pasur ndihmë nga shteti ose organizata ndërkombëtare?
Fermerët, në disa aspekte, janë dhe nuk janë të përgatitur. Mendoj se ekspertët nuk janë të pajisur me njohuri të mjaftueshme për t’i ndihmuar ata. Shitësit e inputeve, si pikat kryesore që ofrojnë këshilla, si dhe Shërbimi Këshillues i Ministrisë së Bujqësisë dhe shoqatat, përpiqen të ndihmojnë fermerët përmes informacionit që u japin për të tejkaluar problemet e paraqitura nga ndryshimet klimatike.
Çdo komunë ka tentuar t'u ndihmojë fermerëve që kanë patur dëme nga vërshimet apo kushtet e tjera meteorologjike. Ndërsa për thatësirat, nuk besoj se ka pasur ndonjë ndihmë të dukshme. Qeveria ka një fond emergjent, por për t’i ikur këtij fondi, është krijuar sistemi i sigurimeve bujqësore.
Çdo komunë ndihmon fermerët në mënyra të ndryshme, por na mungon një plan dhe strategji për t’i përshtatur me ndryshimet klimatike. Duhet të kuptojmë se këto ndryshime janë reale dhe nuk duhet të diskutojmë apo debatojmë për to, por duhet të zgjidhim sfidat që na presin.
Cilat janë metodat më të efektshme për të ruajtur ujin dhe për të përballuar mungesën e tij gjatë periudhave të thatësirës?
Metoda më e efektshme për ruajtjen dhe përdorimin e ujit në Kosovë është metoda pik-pikë, e cila siguron që uji të arrijë drejtpërdrejt në rrënjët e bimëve, duke kursyer kështu më shumë ujë. Ndërsa metodat e tjera të ujitjes shpesh shkaktojnë humbje, sidomos për shkak të temperaturave të larta, ku uji avullohet dhe nuk arrin deri në rrënjë. Në këto raste, bima zhvillon rrënjët më thellë, por trupi i saj nuk rritet ashtu siç duhet.
Sistemi pik-pikë mbetet më i efektshmi, por për disa kultura, metoda e shpërndarjes në formë shiu është gjithashtu efektive, pasi ndihmon në rritjen e lagështisë dhe në këtë mënyrë arrihen rezultate më të mira. Për disa fermerë, periudha e thatësirës ka qenë problematike, pasi mungesa e reshjeve ka shkaktuar shterimin e ujit të bunarëve. Kjo është një nga pikat kyçe që Kosova duhet të fokusohet në krijimin e sistemeve të ujitjes dhe të ujit të pijshëm, sidomos në pjesën lindore të Kosovës, ku ka mungesë të ujit si tokësor, ashtu dhe në lumenj.
Institucionet përgjegjëse duhet të kenë strategji për të përballuar periudhat e thatësirës. Aktualisht, vendet që disponojnë sistemin e ujitjes nga kanalet furnizohen nga Ibër Lepenci. Nga 10,000 hektarë që kanë potencial për ujitje, vetëm 1,300 hektarë kanë qasje në ujitje dhe e përdorin ujin për kultura më intensive. Fermerët duhet të stimulohen dhe t’u mundësohet ujitja përmes kanaleve të ujitjes nga liqeni i Ujmanit nëpërmjet Ibër Lepencit, për kultura me rëndësi për sezonin dhe me vlera më të larta.
Për momentin mendoj që nuk përdoret dhe bëhet mjaftueshëm dhe nuk dua ta bëj askënd fajtor. Ne si ekspertë të fushës, ministria, duhet t’i nxisim fermerët që të përdorin uji në mënyrë sa më efikase, pasi zakonisht ne e keqpërdorim ujin, si në shtëpi ashtu edhe në bujqësi.
Çfarë ndryshimesh po vëreni në ciklin e prodhimit bujqësor për shkak të ngrohjes globale?
Ndryshimet që po vërehen janë se stinët kanë ndryshuar, disa kultura që janë pjekur më vonë tani po pjekën më herët. Kjo është e mirë për disa prodhime, por jo për të tjera. Për shembull, është e favorshme për boronicën, nëse arrijmë ta prodhojmë këtë kulturë në fillim të qershorit, kemi një periudhë prej rreth tri javësh ku tregu evropian nuk mund të marrë boronicë nga vende të tjera, duke na ofruar mundësinë të eksportojmë në Evropë.
Megjithatë, siç po ndodh ngrohja globale, këto ndryshime po prekin edhe vendet e tjera. Duhet të bëjmë një analizë për të identifikuar kulturat me potencial për eksport dhe cilat prej tyre mund t’i kultivojmë. Përveçse të jemi konkurrentë, duhet të zgjedhim varietete të përshtatshme për atë periudhë kohore.
Ajo që po shohim me shpesh është që po kemi më shumë breshër, periudhë më të gjatë të thatësirës, ndryshim të stinëve, kështu që ne duhet t’i përshtatemi këtyre ndryshimeve.
A mendoni se do të nevojiten politika të reja dhe reforma për të siguruar që sektori bujqësor të mbijetojë në këto kushte të vështira klimatike?
Duhet të mësojmë si të përshtatemi, të marrim mësim nga vendet e tjera, të cilat bëjnë hulumtime, studime rreth këtyre ndryshimeve, këtu kam parasysh faktin se në vende të ndryshime po testohen varietete të ndryshime, kultura të reja. Kosova duhet ta ndryshojë prodhimtarinë bujqësore me u fokusuar edhe në kultura të reja që mund të jenë më të mira ndaj kushteve klimatike.
Nuk duhet të frikësohemi nga ndryshimet klimatike, por duhet të përshtatemi. Është e domosdoshme që Ministria e Bujqësisë të kuptojë thelbin e këtyre ndryshimeve dhe të zhvillojë politika të reja që funksionojnë si masa nxitëse për t’i motivuar bujqit. Këto politika duhet ta inkurajojnë përdorimin e teknologjive moderne, edukimin mbi mënyrat e përshtatjes me ndryshimet klimatike, si dhe shmangien e keqpërdorimit të ujit, mos përdorimin e pesticideve jocilësore dhe aplikimin e plehrave pa kurrfarë kriteri.
Ka një nevojë urgjente për edukim të plotë të shoqërisë, që të arrijmë rezultate të mira përballë këtyre sfidave, ashtu siç i kemi arritur deri më tani. Nuk duhet të kemi frikë, duhet të punojmë, të mësojmë dhe të përshtatemi, siç kanë bërë vendet e tjera. Kosova, përkundrazi, ndodhet në një pozitë gjeografike më të favorshme, veçanërisht në krahasim me përmbytjet që po ndodhin në vende të tjera të botës për shkak të lumenjve, pasi ne kemi një numër më të vogël lumenjsh.
Një periudhë kam qenë zëvendës dhe drejtor i programit Agro në USAID, ku kemi testuar kultura të reja në kushte të reja me inovacione e teknologji të reja. Kjo na ka mundësuar t’i futim edhe kulturat e reja në Kosovë siç janë mjedra, boronica, shafrani, varietete të sallatës dhe ta organizojmë sektorin në mënyra të ndryshme nëpërmjet partnerëve strategjik me qëllim të arritjes së rezultateve të mira. Nëse këto kemi arritur t’i bëjmë në një periudhë 10-vjeçare me një ekip që ka qenë i ekspertëve, mendoj që mund të ndryshojmë edhe tani dhe t’i përshtatemi ndryshimeve klimatike. Mirëpo, dikush duhet të udhëheqë dhe të mendojë se çfarë duhet ndryshuar. Në këtë rast mund të jetë qeveria, shoqatat, bizneset të cilat merren me këto veprimtari, shitësit e inputeve të cilët janë kryesorët për shkak se sjellin varietete dhe teknologji të reja. Normalisht, duhet t’i gjejmë fermerët e mirë që me shembullin e tyre do t’ua hapin rrugën edhe të tjerëve.
/Motilokal.com
