Në Pishë Poro, Fier, kanë nisur të çelin filizat e para të pemëve të mbjella pas zjarrit të rënë në tetor të vitit të kaluar.
Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ndau sot pamje nga aksioni i mbjelljes së pemëve gjatë këtij viti në Pishë Poro.
“Përmes programit të rigjenerimit në Vitin Kombëtar të Pyjeve, gjatë gjithë kësaj kohe që prej djegies tragjike në Pishë Poro, ekipet e Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, të Agjencisë Kombëtare të Pyjeve, bashkisë Fier, grupeve të Fakultetit të Pyjeve, të vullnetarëve dhe shumë të tjerë bashkuan misionit fisnik për rikthimin e sipërfaqes në gjendjen e mëparshme, një punë intensive dhe me durim që do të vazhdojë pa reshtur deri sa pishat të rriten sërish”, theksoi Kumbaro.
Ministria e Turizmit dhe e Mjedisit e ka shpallur 2024 “Vitin e Pyjeve”, i cili ka në fokus ndërgjegjësimin dhe informimit e publikut për mbrojtjen e mjedisit dhe pyjeve.
Administratat e Zonave të Mbrojtura në të gjithë vendin vijojnë aksionet për mbjelljen e fidanëve, në të cilat nuk mungojnë dashamirë të natyrës, komuniteti dhe fëmijë të grupmoshave të ndryshme.
/Motilokal.com
