Lajm i mirë – Pacienti i parë me koronavirus në Shqipëri drejt shërimit

Lajm i mirë – Pacienti i parë me koronavirus në Shqipëri drejt shërimit

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu ka dhënë një lajm të mirë pasi pacienti i parë me Covid-19 është në rrugën drejt të shërimit. Sipas ministres, kontakti i parë i pacientit zero rezultoi negativ në testin e parë pas trajtimit.

“Pacienti i parë nis rrugën e shërimit nga #COVID-19. Rezulton negativ në testin e parë pas trajtimit, kontakti i parë i pacientit zero që u identifikua me koronavirusin e ri në Shqipëri. Bravo ekipit të spitalit infektiv”, ka shkruar ministrja në Facebook.

Ndërsa ky lajm i shumëpritur u përshëndet edhe nga kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama, i cili deklaroi se nëse edhe testi tjetër rezulton negativ, atëherë do të kemi dhe të shëruarin e parë.

Ai tha se në këto momente të vështira duhet të lutemi që Zoti t’iu japë forcë të sëmurëve dhe mjekëve.

“Kontakti i parë i pacientit zero që kurohet në spitalin infektiv doli negativ në testin e parë. Nëse edhe në testin e dytë pas 48 orësh ky rezultat do të konfirmohet, atëherë do të kemi të shëruarin e parë. Të presim dhe të lutemi që zoti t’u japë forcë të sëmurëve dhe heronjve me bluza të bardha, në vijën e zjarrit me armikun”, ka shkruar kryeministri Rama në profilin e tij në Facebook./Motilokal.com