Prodhuesit e veturave në panik: Kërkojnë shtyrje të rregulloreve për emetimet e CO2

Prodhuesit e veturave në panik: Kërkojnë shtyrje të rregulloreve për emetimet e CO2

Shoqata e Prodhuesve Evropianë të Automobilave (ACEA) i kërkon Komisionit Evropian që të shtyjë rregulloret e reja dhe më të ashpra të emetimit të CO2 (dioksid karboni) të vendosura për vitin 2025. Nga viti i ardhshëm, të gjithë prodhuesit do të duhet të prodhojnë vetura që emetojnë maksimum 95 gram CO2 për kilometër.

Shumica e prodhuesve evropianë të veturave nuk janë gati për të përmbushur këto objektiva të reja, të cilat mund të çojnë në gjoba shumë të mëdha, të cilat maten në miliarda euro, ose mund të çojnë edhe në një ulje të prodhimit të veturave me disa milionë njësi.

Tani ACEA, shoqata që përfaqëson prodhuesit evropianë të veturave, po i kërkon Komisionit Evropian të vonojë objektivat e reja të emetimeve. Në propozimin e grupit të lobit, ACEA dëshiron që rregulloret e reja të emetimeve të CO2 të shtyhen deri në vitin 2027.

Sipas rregullave të reja për këto shkarkime, nga viti i ardhshëm të gjithë prodhuesit do të duhet të prodhojnë vetura, emetimet e të cilave nuk i kalojnë 95 gram CO2 për kilometër. Aktualisht, kufiri i emetimit të CO2 është vendosur në 106.6 g/km.

ACEA pretendon se rregulloret e reja dhe më të ashpra do t'i detyrojnë prodhuesit të ndalojnë ose reduktojnë prodhimin e rreth dy milionë veturave ose të paguajnë gjoba deri në 13 miliardë euro për veturat e pasagjerëve dhe tre miliardë euro për automjetet e lehta komerciale.

“BE është në krizë të shkaktuar nga kërkesa e ulët e konsumatorëve për automjete elektrike dhe konkurrenca e pandershme nga prodhuesit e automjeteve elektrike nga vendet aziatike, që do të thotë se industria e BE-së nuk do të jetë në gjendje të përmbushë këto objektiva reduktimi”, tha ACEA në një deklaratë zyrtare.

Shoqata shton se "Industria e BE-së nuk do të ketë zgjidhje tjetër veçse të reduktojë ndjeshëm prodhimin, i cili kërcënon miliona vende pune në Union, dëmton konsumatorët dhe ndikon negativisht në konkurrencën dhe sigurinë ekonomike".

/Motilokal.com