Nga Dr. Pëllumb Pipero - Infektolog
Sot për të gjithë ne nuk është një ditë ndryshe, ajo filloi ditë më parë, filloi ditën që në vendin tonë u konfirmua rasti i parë me Coronavirus. Ishte apo nuk ishte i pari kjo ka pak rëndësi, e rëndësishme është që atë e kemi tek ne si kudo tjetër në Evropë dhe në botë!
Dëgjoj shumë pyetje që fillojnë me PSE! Mos pyesni ju lutem Pse?? Duhet së bashku ta veprojmë sot, dhe të vazhdojmë nesër, nesër e me tutje, deri sa ta mundim këtë epidemi. Së bashku po, së bashku ja dalim!
Sot shumë kush nga ju ka pyetur, çfarë ndodhi mbrëmë, çfarë ndodhi natën, çfarë do ndodhë sot? E drejtë! Njerëzore është! Mes nesh ka frike, por nuk duhet të ketë kurrë panik. Paniku është aleati më i mirë i këtij virusi. Ky virus ka frike vetëm kujdesin, vëmendjen, maksimalizimin e kapaciteteve, mbështetjen e bluzave të bardha! E sidomos disiplinën!
Sot ju keni shumë pyetje, dhe keni shumë të drejtë. Ne kemi folur çdo ditë me ju, jua kemi thënë të gjitha besoj! Nuk e di sa na keni kuptuar, nuk e di sa jua kemi shpjeguar, nuk e di a na keni dëgjuar të gjithë, POR na besoni, nuk ju kemi fshehur asgjë! Natyrisht rastet janë shtuar dhe do shtohen, është vetëm fillimi, por mos u trembni nga shifrat, ato ju shërbejnë statistikave, epidemitë kanë ligjësitë e tyre, ne duhet të dimë t’i përballojmë dhe të zvogëlojmë demin!
Mos na paragjykoni sot ju lutem, as në bluzat e bardha dhe as institucionet tona, kini durim, se bashku do ja dalim. Ka kohë për të na gjykuar!
Sot nuk është një ditë ndryshe, edhe pse ndryshon shumë nga dje, dhe ju vazhdoni të keni shumë pyetje, për të cilat unë kam vetëm një përgjigje:
Kufizoni lëvizjet, kufizoni takimet, kufizoni vizitat dhe respektoni tre fjalë magjike, vetëm tre: Lani. Duart. Tuaja!/Motilokal.com
