Gjithçka që duhet të dini për koronavirusin, flet doktori Ibrahim Maliqi

Gjithçka që duhet të dini për koronavirusin, flet doktori Ibrahim Maliqi

Situata në botë nga koronavirusi paraqitet dramatike, tashmë Italia është në krye të listës me numrin më të lartë të rasteve të reja, ndërsa situata në Kinë ka filluar të ndryshojë pas rënies së numrit të infektuarve si dhe është pranë që të shpall fitoren ndaj COVID-19.

Deri dje (13.03.2020) Kosova ishte e paprekur nga ky virus, ku edhe u konfirmuan dy raste të reja. Për të kuptuar më shumë rreth këtij virusi, simptomat dhe si duhet të mbrohemi portali motilokal.com zhvilloi një intervistë me Dr. Ibrahim Maliqi, mjek emergjent dhe reanimator në Kliniken Emergjente të Kosovës.

Intervistoi: Shkëlzen Rrecaj 

Dr. Maliqi, u bën disa muaj që kur u përhap virusi tashmë i emërtuar COVID-19 dhe u fol shumë për të. 

Është normale të flitet shumë për diçka që është e re si dhe të hulumtohet rreth saj. Pothuajse e gjithë bota po përballet me këtë pandemi që e shpalli edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë.

Ajo që na intereson më shumë është të dimë rreth këtij virusi, simptomat dhe si të mbrohemi?

Në mjekësi koronaviruset, apo viruset me kurorë janë familje e viruseve të cilat shkaktojnë sëmundje të tilla si: nga një rrufë (grip) e lehtë deri në sëmundje më të rënda siç është Sindroma Respiratore e Lindjes së Mesme (Middle East Respiratory Syndrome - MERS) dhe Sindroma e Rëndë Respiratore Akute (Severe Acute Respiratory Syndrome - SARS). Në fakt koronaviruset (CoV) janë një familje e madhe virusesh që shkaktojnë sëmundje nga më të lehtat e deri tek ato më të rëndat. Këto viruse më së shumti janë të përhapura në lloje të kafshëve dhe rrallë evoluojnë, transmetohen, infektojnë njerëzit dhe më pas përhapen midis tyre. Që nga 31 dhjetori 2019, kur edhe filloi të përhapet, pati disa raste me pneumoni në Wuhan, provinca Hubei të Kinës ku shumica e tyre raportonin ekspozim në një treg të madh të produkteve të detit ku shiteshin shumë lloje të kafshëve të gjalla.

Të dhënat paraprake tregojnë se 2019 –nCoV ka homologji për disa aminoacide me SARS – CoV dhe mund të përdorë si receptor ACE2. Kjo rezulton që virusi i tillë mund të bartet nëpërmjet kontaktit dhe lëvizjeve përkatësisht transportit edhe në vendet tjera, përkatësisht të përfshijë edhe kontinentet e tjera. Tashmë e dimë se është një koronavirus i ri nga grupi 2B, me të njëjtën familje si SARS, të cilin ne e kemi quajtur SARS CoV2. Sëmundja quhet COVID-19. Mendohet se përhapja e këtij virusi ka të bëjë apo është shfaqur nga lakuriqët. Ndërsa sipas analizave gjenetike është konfirmuar se ka origjinë natyrore të kohëve të fundit (midis fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit), megjithëse viruset jetojnë duke pësuar mutacion, shkalla e mutacionit të tij mund të mos jetë shumë e lartë. Simptomat e koronavirusit përfshijnë aparatin e frymëmarrjes si: ethe, kollë, gulçim dhe vështirësi në frymëmarrje. Në raste më të rënda, infeksioni mund të shkaktojë pneumoni, sindromë të rëndë respiratore akute, insuficiencë të veshkave, madje edhe vdekje.

Janë konfirmuar dy rastet e para dhe ndoshta pritet që numri të rritet. A ka vend për panik dhe si duhet menaxhuar situata në këtë drejti? Këshilla e juaj për qytetarët.

Për fat të keq, është pritur të ndodhë, dhe më e keqja është kur pret një fatkeqësi, në këtë rast pandeminë me Covid-19. Megjithatë, marrë parasysh periudhën e gjatë të inkubacionit, pra prej futjes se mikroorganizmave e deri te shfaqja e shenjave ose simptomave të para mundësia e bartjes nga një i sëmurë tek personat e shendosh është reale.

Bazuar në rekomandimet e OBSh dhe MSh si dhe udhëzuesin për parandalim, konkludojmë se: virusi mund të largohet me anë të pastrimit. Virusi mund të deaktivizohet nga sipërfaqet brenda një minute në mënyrë efektive duke përdorur tretje të etanolit (62-71% alkool), peroksid hidrogjeni (0,5% peroksid hidrogjeni) ose hipoklorit natriumi (0,1% zbardhues). Larja e shpeshtë e duarve me sapun dhe ujë të ngrohtë është mënyra më efektive për të shmangur ngjitjen e virusit. 80% e rasteve janë të lehta. Sëmundja nuk shkakton simptoma ose është e butë në 81% të rasteve. Sigurisht, 14% të rasteve mund të shkaktojë pneumoni të rëndë dhe në 5% mund të bëhet kritike apo edhe fatale. Ende nuk është e qartë se cila mund të jetë shkalla e vdekshmerisë, por mund të jetë më e ulët se disa vlerësime që janë bërë deri më tani.

Si bartet ky virus dhe si duhet të mbrohemi?

Koronavirusi qarkullon në kafshë dhe disa prej koronaviruseve kanë aftësinë të transmetohen nga kafshët tek njeriu. Tashmë është vërtetuar që koronavirusi transmetohet edhe nga njeriu te njeriu. Mënyra të mbrojtjes ka shumë, por edhe siç e theksova higjiena është parësore të mbajmë më shumë pastërti. Patjetër kur kollitemi apo teshtijmë duhet të mbajmë një faculetë para gojës. Domosdoshmërisht duhet të mos prekim sytë, gojën apo hundën me duar të palara. Mund të duket e thjeshtë, por nuk duhet harruar se më mirë është të evitojmë kontaktet me njerëz, që nuk ndihen mirë apo kanë shenjat e sëmundjes.

Dr. Maliqi, flitet që gripi i zakonshëm është më i vështirë se kronavirusi. Çka i dallon?

Koronavirusi dhe gripi ndajnë shumë simptoma të ngjashme, duke e bërë të vështirë diagnostikimin pa një test. Simptomat kryesore të koronavirusit për t'u kujdesur janë ethet dhe kolla. Gripi shpesh ka edhe simptoma të tjera, të tilla si dhimbje të fytit, ndërsa njerëzit me koronavirus mund të ndjejnë frymëmarrje me të shkurta. Njerëzit që mendojnë se mund të preken nga koronavirusi duhet të telefonojnë shërbimin telefonik MSH 194 për këshilla të mëtejshme. Ata nuk duhet të shkojnë te mjeku i tyre.

Kush është më i rrezikuar nga ky virus?

Në përgjithësi më të rrezikuarit janë mosha e tretë, të cilët edhe ashtu kanë probleme shëndetësore. Ndërsa fëmijët duket se janë relativisht të pandikuar nga koronavirus, kjo sipas të dhënave që i kemi nga Kina. Kjo mund të jetë për shkak se ata janë në gjendje të shkëpusin infeksionin ose nuk kanë simptoma, ose manifestojnë vetëm ato shumë të zakonshmet të ngjashme me ftohjen. Sidoqoftë, fëmijët me probleme themelore të mushkërive, të tilla si astma, duhet të jenë më të kujdesshëm, pasi virusi mund të shkaktojë një sulm. Sidoqoftë, për shumicën e fëmijëve do të jetë një infeksion respirator si çdo tjetër dhe nuk shkakton alarm.

Kush duhet të mbart maskë dhe çfarë efekti ka?

Edhe pse mjekët dhe kirurgët shpesh veshin maska për fytyrën, ka pak prova që veshja e maskave të fytyrës nga publiku bën ndryshime. Zyra e Shëndetit Publik në Angli ka thënë se nuk "rekomandon përdorimin e maskave të fytyrës si një mjet mbrojtjeje nga koronavirusi". Ai thotë se ka shumë pak prova të përfitimit të gjerë nga përdorimi i tyre jashtë mjediseve klinike. Ekspertët thonë se higjiena e mirë - siç është larja rregullisht e duarve dhe sigurisht përpara se të prekni fytyrën - është shumë më e efektshme.

Thuhet se me ardhjen e pranverës dhe ngritjes së temperaturave pritet edhe të zhduket ky virus?

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar edhe pse në kushte laboratorike nuk mbijeton mbi 27 gradë Celsius. Por varet nga lagështia.

Për fund disa këshilla në përgjithësi si duhet të kujdesemi për shëndetin tonë?

Të mbani më shumë higjienën, si larja e shpeshtë e duarve, mos qëndroni në ambiente të mbyllura, qëndroni larg njëri-tjetrit, nëse keni grip rrini në shtëpi, mesatarisht pesë ditë për të filluar shfaqjen e simptomave, si dhe nëse keni simptoma të këtij virusi vetizolohuni deri në 14 ditë ose edhe më shumë. Kur kolliteni apo teshtini, mbulojeni hundën ose gojën me pjesën e brendshme të bërrylit ose përdorni shami njëpërdorimëshe. Pas përdorimit, shaminë hidheni menjëherë në kosh të mbyllur të mbeturinave. Nuk ka nevojë për panik, por kujdes të shtuar pasi “koronavirusi është vëllai i madh i gripit të zakonshëm”./Motilokal.com