Kjo është gjendja e fundit nga zjarret në Shqipëri

Kjo është gjendja e fundit nga zjarret në Shqipëri

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar për situatën e zjarreve gjatë ditës së sotme, sipas Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në #AKMC, në të gjithë territorin e vendit janë identifikuar 16 vatra zjarri. Pas një pune të pandërprerë të forcave operacionale në terren, u bë i mundur izolimi i plotë dhe shuarja e 7 vatrave, ndërsa 9 mbeten ende aktive.

Njoftimi i plotë:

Forcat operacionale po vazhdojnë punën për izolimin përfundimtar të vatrës në Malin e Çipinit. Situata po monitorohet dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.

Në fshatin Shkallë të bashkisë Konispol dhe në fshatin Brataj të bashkisë Selenicë, situata është nën kontroll dhe nuk paraqitet rrezik për përhapje.

Në zonën e quajtur “Pylli i Lopës” në fshatin Tërnovë të bashkisë Bulqizë, janë riaktivizuar disa vatra zjarri. Situata paraqitet e vështirë për shkak të erës, e cila e përhap zjarrin dhe vështirëson mundësinë e izolimit të vatrave. Puna vazhdon pa ndërprerje deri në mundësimin e izolimit të zjarrit.

Në fshatin Karmë në Vaun e Dejës, po punohet prej ditës së djeshme për izolimin e vatrës së zjarrit dhe për të vënë në kontroll flakët në terren të vështirë pyjor. Puna vijon dhe nuk rrezikohen banesa.

Në fshatin Lozhan në bashkinë e Korçës, vatra e zjarrit e përhapur në zonë pyjore po monitorohet dhe ndërhyhet me vështirësi për shkak të terrenit.

Në fshatrat Goricë të Pustecit dhe Kus të Tiranës po punohet për shuarjen e vatrave. Situata është nën kontroll dhe nuk paraqet rrezik për përhapje.

Në fshatin Valas në Elbasan, forca të shumta në terren po punojnë për vënien nën kontroll të zjarrit i cili për shkak të erës është përhapur dhe ka zgjeruar sipërfaqen e tij.

Në operacionet e sotshme të shuarjes së zjarreve janë angazhuar shumë forca operacionale ndihmuar nga 130 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 2 mjete zjarrfikëse.

/Motilokal.com