Evropa është rajoni që po ngrohet më shpejt në botë dhe temperaturat ekstreme të larta shkaktojnë më shumë se 176,000 vdekje në vit.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, vdekjet në Evropë për shkak të nxehtësisë ekstreme, të lidhura me ndryshimet klimatike , përfaqësojnë 36% në mbarë botën. Midis 2009 dhe 2019, OBSH regjistroi një mesatare prej 176,040 vdekjesh në vit në Evropë, nga një total prej 489,000 vdekjesh të lidhura me nxehtësinë.
Organizata thekson se rajoni i Evropës (për OBSH-në, për qëllime studimore shtrihet në Azinë qendrore), është ai që po ngrohet me një normë rreth dyfishi i normës mesatare globale. “Në gjithë rajonin dhe 53 shtetet e tij anëtare, njerëzit po paguajnë çmimin më të lartë”, sipas Drejtorit Rajonal të OBSH-së për Evropën, Hans Kluge.
Ai gjithashtu thekson se, gjatë 20 viteve të fundit, vdekshmëria nga nxehtësia është rritur atje me 30%. “Temperaturat ekstreme përkeqësojnë sëmundjet kronike, veçanërisht sëmundjet kardiovaskulare, të frymëmarrjes dhe cerebrovaskulare, shëndetin mendor dhe çrregullimet e lidhura me diabetin”, shpjegon ai.
Temperaturat e larta shkaktojnë, ndër të tjera, "stresin e nxehtësisë", i cili ndodh kur trupi i njeriut nuk arrin të mbajë një temperaturë midis 36 dhe 37 gradë Celsius, dhe që aktualisht është shkaku kryesor i vdekshmërisë së lidhur me klimën në rajon.
Sipas OBSH-së, numri i viktimave të të nxehtit do të “shpërthejë” në vitet e ardhshme për shkak të ngrohjes globale, e cila është përgjegjëse për rritjen e numrit të valëve të të nxehtit në Evropë në dekadat e fundit.
“Tri vitet më të ngrohta në Evropë janë regjistruar që nga viti 2020 dhe dhjetë vitet më të ngrohta janë regjistruar që nga viti 2007”, sipas Hans Kluge. Organizata thekson se është e mundur të përballemi me nxehtësinë duke adoptuar sjellje të thjeshta: të qëndrojmë diku të mbrojtur nga temperaturat e larta, të mbajmë shtëpinë tonë të freskët dhe të rihidratojmë rregullisht.
/Motilokal.com
