Thyhet ‘miti’ konfirmohen dy raste me koronavirus në Kosovë

Thyhet ‘miti’ konfirmohen dy raste me koronavirus në Kosovë

Ishte vendi i vetëm në Europë që nuk ishte i prekur nga koronavirusi. Pas mobilizimit dhe masat e marra janë konfirmuar dy raste të prekur me këtë virus.

Lajmin e ka konfirmuar ministri Arben Viti, i cili ka deklaruar në një konferencë të jashtëzakonshme se prej 15 rasteve të dyshimta, dy kanë rezultuar pozitiv. Ata janë të shtrirë në QKUK.

Ministri Vitia ka theksuar se njëri nga ta është kosovar i moshës 77 vjeçare dhe një tjetër është nga Italia e gjinisë femërore moshës 20 vjeçare.

Kryeministri Kurti ka kërkuar nga qytetarët që të mos frikësohen dhe të shkaktojnë panik si dhe t'i përmbahen këshillave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Institutit të Shëndetit Publik që të mbahet pastërtia, qëndrimi larg njëri tjetrit si dhe mos shkuarja në spitalin infektiv në Prishtinë. 

Më poshtë: Apeli nga Kryeministri Kurti

FTOHEN QYTETARËT QË TË MOS BËJNË PANIKË, POR ME QETËSI DHE KUJDES TË SHTUAR T’IU PËRMBAHEN UDHËZIMEVE PËR PARANDALIMIN E CORONAVIRUS-IT

I ftoj qytetarët për qetësi, që të mos bëjnë panikë dhe të mos paraqiten në Klinikën Infektive nëse nuk kanë shenja të sëmundjes.

Ministria e Shëndetësisë e ka vënë në dispozicion linjën telefonike për informim e këshillim në të cilën mund të thërrasin të gjithë ata tek të cilët mund të shfaqen simptoma të dyshimta për sëmundje akute të frymëmarrjes (ethe, kollë, vështirësi në frymëmarrje) DHE historik të udhëtimit në vend / zonë ose territor që raporton sëmundjen me COVID-19 gjatë 14 ditëve para fillimit të simptomave; ose që kanë qenë në kontakt me një rast të konfirmuar ose të mundshëm të COVID-19 në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave.

Ftohen të gjithë qytetarët që pa panik, por me kujdes të shtuar t’iu përmbahen udhëzimeve dhe masave parandaluese të rekomanduara nga institucionet shëndetësore, si dhe të gjitha masave të shpallura nga Qeveria e Kosovës. Me kujdes të shtuar, të gjithë bashkë, do t’ia dalim edhe në këtë betejë!/Motilokal.com