Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka njoftuar se pas paralajmërimeve nga banorët lokal dhe nga organizatat joqeveritare që merren me monitorimin e zogjve, për gjendjen e rëndë të një lejleku (Ciconia ciconia), në fshatin Babimovc të Komunës së Obiliqit, zyrtarët nga AMMK/Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, kanë dalë në vendin e ngjarjes, kanë vërtetuar saktësinë e informacioneve, kanë gjetur lejlekun, të cilin pas komunikimeve me Agjencinë e Veterinës dhe Ushqimit e kanë dërguar në qendrën për trajtimin dhe rehabilitimin e kafshëve të egra “Pylli i Arinjëve”, në Badovc të Prishtinës.
Tutje bëhet e ditur se në Pyllin e Arinjve përkatësisht nga veterineri i kontraktuar nga Ordinanca Veterianare “Diognosa VET”, lejleku ka marrë trajtimin përkatës dhe pas përmirësimit të gjendjes është lëshuar sërish në habitatin, përkatësisht në folenë e tij në fshatin Babimovc, ku janë identifikuar edhe katër individë tjerë të lejlekut.
“AMMK/Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, si institucion qendror përgjegjës për mbrojtjen e biodiversitetit, përfshirë edhe llojet e egra të shpendëve, shpreh falënderim për të gjitha organizatat joqeveritare dhe komunitetin lokal për bashkëpunimin dhe angazhimin për përkujdesjen dhe ruajtjen e llojeve të egra të faunës sonë”, thuhet në njoftim.
/Motilokal.com
