“Korridoret e ajrit të ftohtë” si zgjidhje për valët e të nxehtit?

“Korridoret e ajrit të ftohtë” si zgjidhje për valët e të nxehtit?

Në verë, qytetet priren të mbinxehen. Çimentoja dhe asfalti ruajnë nxehtësinë e diellit për një kohë të gjatë dhe kështu metropolet janë shumë të nxehta edhe gjatë natës.

Sot po bëhet gjithnjë e më e rëndësishme gjetja e mënyrave për të “ulur” temperaturën në qytete. Dhe këtu hyjnë të ashtuquajturat "korridoret e ajrit të ftohtë".

Cilat janë korridoret e ajrit të ftohtë?

Pavarësisht nxehtësisë së metropolit, fshati përreth mbetet dukshëm më i freskët, veçanërisht gjatë natës, në një pasdite vere pa re, temperatura mund të jetë deri në 15 gradë më e ulët se në qendër të qytetit.

Hapësirat e gjelbra, lumenjtë, liqenet, shinat hekurudhore dhe rrugët e gjata me pemë mund të veprojnë si korridore përmes të cilave ajri më i freskët i periferive mund të fryjë drejt zemrës së qytetit.

Por duke qenë se ajri i ftohtë është më i rëndë se ajri i ngrohtë dhe kështu fryn vetëm disa centimetra mbi tokë, atëherë ai mund të bllokohet shumë lehtë, për shembull nga ndërtesat. Kështu, kur të bëhet urbanistika, duhet të merren masa që këto korridore të mbeten sa më të lira.

Pse është më ftohtë natën në periferi?

Përtej kufijve të qendrës së qytetit ka më pak çimento dhe asfalt dhe më shumë tokë, pemë dhe bar, të cilat ruajnë shumë më pak nxehtësinë e diellit. Përveç kësaj, nëpërmjet avullimit të ujit nga gjethet e bimëve të shumta që kanë këto zona, ajri bëhet më i freskët.

Topografia është gjithashtu shumë e rëndësishme. Ajri i ngrohtë më i rëndë që mblidhet pak mbi tokë mund të fryjë shumë fort në një faqe mali, për shembull dhe të krijojë një erë ftohëse.

Qytetet e rrethuara nga male ose të vendosura në një luginë mund të përfitojnë shumë nga erërat e ftohta, pasi ato mund të fryjnë nëpër qendrat urbane për të shtyrë ajrin e ngrohtë lart dhe për të ulur temperaturën e rrugëve dhe ndërtesave. Shtutgarti, për shembull, ndodhet në një luginë dhe kërkon të ruajë korridoret e tij të freskëta të ajrit. Prandaj, këto korridore duhet të merren parasysh kur planifikohet zhvillimi urban dhe ndërtesat e reja në një qytet.

Çfarë mund të bëjnë vetë qytetet?

Rëndësia e ajrit të freskët nga zonat përreth për qytetet njihet gjithnjë e më shumë në qendrat urbane gjermane, por edhe në disa qytete të tjera të mëdha ndërkombëtare si Nju Delhi, Lima dhe Seul.

Këto metropole ngarkojnë meteorologët të masin temperaturat dhe erërat në zona të ndryshme brenda dhe përreth qytetit, në mënyrë që të krijojnë një atlas të detajuar klimatik. Bazuar në këto të dhëna, qytetet mund të ndalojnë “mbylljen” e korridoreve të ajrit të pastër duke ndërtuar sipër tyre.

Qytetet mund të marrin gjithashtu masa të tjera për të reduktuar ndjeshëm nxehtësinë ekstreme dhe për të përmirësuar cilësinë e jetës të tilla si mbjellja e pemëve përgjatë rrugëve, reduktimi i përdorimit të motorëve me djegie ose ndërtimi i më shumë parqeve.

/Motilokal.com