Ja çfarë duhet të hani për ruajtjen e hidratimit gjatë vapës së verës

Ja çfarë duhet të hani për ruajtjen e hidratimit gjatë vapës së verës

Gjatë valës së të nxehtit, uji nuk është e vetmja gjë që duhet të hidratoni dhe disa ushqime si kastravecët, shalqiri apo marulja mund t'ju ndihmojnë për këtë.

Nëse planifikoni të kaloni shumë kohë jashtë, do t'ju nevojiten edhe elektrolite. Ato mund të gjenden në pije sportive, suplemente dhe ushqime të caktuara. Përveçse do t'ju mbajë të hidratuar, do t'ju ndihmojë të rimbushni mineralet që djersitni.

Disa ushqime janë hidratuese dhe plot me elektrolite dhe lëndë ushqyese, të cilat mund t'ju ndihmojnë të shuani etjen. Shumica e ushqimeve përmbajnë një sasi të caktuar uji, por ndoshta nuk do t'ju habisë të mësoni se frutat dhe perimet kryesojnë listën.

Rreth 20 deri në 30 për qind e nevojave për lëngje mund të vijnë nga ushqimi, duke përfshirë frutat dhe perimet. Ju mund të rrisni hidratimin duke kombinuar disa ushqime. Kur kërkoni për rehidrim adekuat, karbohidratet, lëngjet dhe natriumi janë thelbësore.

Shalqiri dhe pjepri – Shalqiri nuk është vetëm një frutë sinonim i verës, por është edhe shumë hidratues. Ai përbëhet nga 92 për qind ujë dhe përmban antioksidantë, lëndë ushqyese të rëndësishme si vitamina A dhe C, magnez, fibra dhe likopen (një pigment që gjendet në fruta dhe perime të kuqe, të verdha ose portokalli). Pjepri është gjithashtu 90 për qind ujë dhe është një burim i mirë i kaliumit, folatit, si dhe vitaminave A dhe C.

Kastravecët përbëhen nga 95 për qind ujë dhe vitamina si vitamina K, magnez dhe kalium. Kjo perime freskuese mund të shtohet lehtësisht në sallata, sanduiçe, ujë ose të hahet më vete. Përmbajtja e tij e lartë e ujit e bën atë të ulët në kalori dhe një ushqim ideal për t'u shtuar në dietën tuaj nëse dëshironi të humbni peshë dhe të ndiheni më të ngopur për më gjatë.

Luleshtrydhet – ky frutë është plot me antioksidantë, vitamina dhe minerale si vitamina C, mangan dhe folate. Shtohet lehtësisht në smoothie, kos, sallata ose hahet vetëm. Luleshtrydhet janë 91 për qind ujë, duke i bërë ato fruta perfekte për të shuar etjen.

Marule dhe perime të tjera me gjethe – Marulja përbëhet nga 96 për qind ujë dhe përmban acid folik, fibra dhe vitamina K dhe A. Spinaqi është i pasur me hekur, acid folik, kalcium dhe vitamina C dhe A.

Agrumet – Frutat e agrumeve janë zakonisht rreth 80 për qind ujë, duke i bërë ato opsione të mira për hidratim. Ato janë gjithashtu të pasura me vitaminë C dhe fibra dhe janë të mira për të mbështetur sistemin tuaj imunitar. Ato madje janë mjaft të gjithanshme për t'u shtuar në sallata frutash, për t'u ngrënë vetë, për t'u shtuar në ujë ose sallata, madje edhe si marinadë për pulën ose peshkun.

/Motilokal.com