Kosova dhe sfidat nga ndryshimet e klimës

Kosova dhe sfidat nga ndryshimet e klimës

Nga Besnik Shabiu - Biolog 

Ditët e fundit jemi dëshmitarë të temperaturave të larta që kanë prekur vendin tonë. Sipas shkencëtarëve viti 2024 konsiderohet ndër vitet me temperaturat më të larta ndonjëherë. Raporti i fundit nga NATO na alarmon se Kosova mund të mbetet pa ujë të pijes deri në vitin 2050, po ashtu sipas këtij raporti ditët me temperaturë mbi 35 gradë janë tre apo katërfishuar.

Ngrohja me përafërsisht 1.5°C pas epokës industriale është futur tashmë në sistemin klimatik të Tokës për shkak të emetimeve të gazrave serrë, si CO2 dhe CH4.

Shkencëtarë kanë dalë në përfundimin se me këtë trend do të arrijmë regjimin e ri të klimës me 4°C ose edhe më shumë përpara vitit 2100, që do të ketë pasoja alarmante!

Disa nga rreziqet që mund ta presin vendin tonë dhe jo vetëm nëse temperature lejohet të rritet për 4⁰ C.

• Prodhimi i të korrave bie për 50% në vitin 2050;

• Prurja e lumenjve zbret më shumë se 45% në 2100;

• Reshjet zbresin me 20-30%;

• 80% të muajve do t’i takojnë stinës së verës;

• Vdekshmëria si pasojë nga i nxehti rritet për 20%

Pasojat:

• Stuhi të paparashikuara;

• Zjarre;

• Vërshime apo përmbytje nga shkarkimet e mëdha të shiut në periudha rekorde;

• Thatësira enorme.

Kosova ka hartuar Strategjinë për Ndryshime Klimatike 2019- 2028 që përcakton politikat për zvogëlimin e emisioneve të gazrave serrë (GS) dhe për përshtatje me ndryshimet klimatike. Po ashtu, ajo paraqet një mundësi që të gjenden dhe përcaktohen masat për zvogëlimin e emisioneve të gazrave serrë dhe përshtatjes me ndryshimet klimatike, të cilat do të nxisin zhvillimin e qëndrueshëm.

Sektori i Energjisë, përfshin rreth 88% të emetimit të përgjithshëm të gazeve serrë në Kosovë. Emetimet e gazrave serrë në sektorin e transportit janë në rritje e sipër për shkak të numrit gjithnjë e më të madh të veturave dhe konsumit më të madh të karburantit.

Sipas studimit të Bankës Botërore për Efiçiencë të Energjisë në objektet e banimit (2013), sektori i ndërtesave përbën 48% të konsumit të energjisë dhe paraqet pjesën më të madhe të konsumit të energjisë në Kosovë. Biomasa (45%) dhe energjia elektrike (44%) ishin burimet kryesore të energjisë, të përdorura nga sektori i amvisërive, gjersa për sektorin e shërbimeve, energjia elektrike ishte burimi kryesor i energjisë (52%), pasuar nga produktet e naftës (38%).

Sektori i bujqësisë, pylltaria dhe shfrytëzimi i tokës merr pjesë me rreth 13% të sasisë së përgjithshme të emetimeve të gazrave serrë.

Prioritetet e Strategjisë janë:

• Themelimi i Eko-fondit;

• Themelimi dhe funksionimi i rrjetit të monitorimit mjedisor në Kosovë;

• Përdorimi racional i resurseve natyrore,

• Zhvillimi i programeve afatgjate për edukim;

• Fushatat dhe projektet e ndërgjegjësimit publik;

• Mbështetja e konceptit të importimit të teknologjive të ‘pastra’ në Kosovë;

• Aplikimi i konceptit të efiçiencës së energjisë në të gjithë sektorët e përdorimit të energjisë.

Efektet shëndetësore të ndryshimeve klimatike përfshijnë sëmundjet e frymëmarrjes dhe të zemrës, sëmundjet e lidhura me dëmtuesit si sëmundja e Lyme-s dhe virusi i Nilit Perëndimor, sëmundjet e lidhura me ujin dhe ushqimin, si dhe lëndimet dhe vdekjet. Ndryshimet klimatike kanë qenë gjithashtu të lidhura me rritjen e krimit të dhunshëm dhe shëndetin e përgjithshëm të dobët mendor.

Për të ndikuar në uljen e emetimeve të karbonit dhe mos-rritjen e mëtejme të temperaturës së globit u miratua Marrëveshja e Parisit, një traktat ndërkombëtar ligjërisht i detyrueshëm për ndryshimet klimatike. Ai u miratua nga 196 Palë në Konferencën e OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP21) në Paris, Francë, më 12 dhjetor 2015. Ai hyri në fuqi më 4 nëntor 2016.

Qëllimi i tij kryesor është të mbajë "rritje të temperaturës mesatare globale nën 2°C mbi nivelet para-industriale" dhe të vazhdojë përpjekjet "për të kufizuar rritjen e temperaturës në 1.5°C mbi nivelet para-industriale". Megjithatë, në vitet e fundit, liderët botërorë kanë theksuar nevojën për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C deri në fund të këtij shekulli.

Kjo për shkak se Paneli Ndërqeveritar i OKB-së për Ndryshimet Klimatike tregon se kalimi i pragut 1.5°C rrezikon të lëshojë ndikime shumë më të rënda të ndryshimeve klimatike, duke përfshirë thatësira më të shpeshta dhe të rënda, valë të nxehti dhe reshje shiu.

Për të kufizuar ngrohjen globale në 1.5°C, emetimet e gazeve serrë duhet të arrijnë kulmin para vitit 2025 më së voni dhe të ulen me 43% deri në vitin 2030.

Çka mund të bëjë secili prej nesh për të ndikuar në ndryshimet e klimës?

• Ulja e shpenzimit të energjisë;

• Kursimi i ujit të pijes;

• Përdorimi i transportit publik;

• Mbjellja e drunjve;

• Më pak përdorim i mishit të kuq, më shumë perime;

• Minimizim i përdorimit të materialeve njëpërdorimshe.