Kompania gjithnjë e më e njohur kineze BYD raportoi një rritje prej 21 për qind në shitjet e veturave elektrike në tremujorin e dytë të këtij viti krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Gjatë kësaj periudhe, prodhuesi kinez shiti më shumë se 426,000 vetura elektrike në mbarë botën. Kjo shifër nënkupton një rritje prej 21 për qind në shitje krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2023.
Njoftimi vjen në të njëjtën kohë me raportin e ri të Tesla-s në SHBA, i cili pati rënie të dërgesave për tremujorin e dytë radhazi. Megjithatë, Tesla mbetet përpara BYD për sa i përket numrit të veturave të dorëzuara në Q2, edhe pse nuk ofron modele të përballueshme si rivali i saj kinez. Tesla shiti më shumë se 443,000 vetura në periudhën prill-qershor të këtij viti.
Në të njëjtën kohë, sipas të dhënave nga Shoqata Kineze e Prodhuesve të Automjeteve, automjetet me energji të re (NEV) përbënin deri në 46.7 për qind të tregut kinez të veturave nga fillimi i vitit deri në fund të qershorit. Nga ana tjetër, Tesla po humb ndjeshëm pjesën e tregut në Evropë, ndërsa BYD po zgjohet dalëngadalë, por ende me shifra të parëndësishme.
/Motilokal.com
