Për ndryshimin e klimës dhe ndikimin e tij në botën përreth nesh flitet prej vitesh. Ekspertët dhe shkencëtarët paralajmërojnë se, nëse diçka nuk ndryshon rrënjësisht, në të ardhmen na presin skenarë mjaft pesimistë. Se si ndryshimet klimatike po ndikojnë tashmë në Evropë, tregon raporti i fundit i publikuar në Nature, i cili bazohet në qindra studime mbi ndikimin e kushteve të motit në shëndetin e njeriut.
Shkencëtarja Rachel Lowe e Institutit Katalanas për Kërkime dhe Studime të Avancuara dhe kolegët e saj gjurmuan 42 tregues të ndryshëm të lidhjes midis ndryshimit të klimës dhe ndikimit të tij në shëndet, duke përfshirë një rritje alarmante të vdekjeve të lidhura me nxehtësinë dhe përhapjen e sëmundjeve infektive. Konkluzioni i hulumtimit të tyre nuk është pozitiv dhe Lowe thotë se duhen veprime drastike, si në Evropë ashtu edhe në mbarë botën, për të mbrojtur popullsinë.
Nxehtësia vdekjeprurëse
Këtë javë kemi shkruar se sa i rrezikshëm mund të jetë i nxehti ekstrem për shëndetin, veçanërisht për të moshuarit dhe pacientët me zemër, dhe me rritjen e temperaturave rritet edhe numri i vdekjeve të regjistruara. Dhe për çfarë lloj ndikimi bëhet fjalë, tregoi edhe ky hulumtim. Sipas këtyre të dhënave, në periudhën 2013-2022 dhe krahasuar me periudhën 2003-2012, numri i vdekjeve nga nxehtësia është rritur mesatarisht me 17 për 100,000 banorë. Duhet theksuar se vapa ndikon më keq tek femrat, pra është shënuar një shkallë më e lartë e vdekshmërisë tek femrat në krahasim me meshkujt.
Një nga arsyet që mund ta shpjegojë këtë është dallimet në aspektin e humbjes së nxehtësisë nga trupi dhe shkallës maksimale të djersitjes dhe gjithashtu gratë mund të ekspozohen ndaj një rreziku më të madh të stresit të nxehtësisë pas ovulacionit, kur temperatura e trupit të tyre është më e lartë. Gjithashtu, femrat në përgjithësi jetojnë më gjatë se meshkujt dhe të moshuarit janë më të ndjeshëm ndaj problemeve dhe stresit të lidhur me nxehtësinë ekstreme, shpjegojnë shkencëtarët në këtë studim.
Rriqrat dhe parazitët
Një tjetër pasojë negative dhe e rrezikshme e ndryshimeve klimatike dhe rritjes së temperaturave të përmendura në këtë studim i referohet parazitëve që janë përhapur dhe po transmetojnë tashmë sëmundje në disa rajone evropiane, si dhe rriqrave, popullsia e të cilave po rritet. Shkencëtarët veçojnë përhapjen e parazitit njëqelizor Leishmania infantum, i cili transmetohet nga mizat e rërës dhe shkakton ulçera në lëkurë, ndërsa në rastet më të këqija infeksioni mund të rezultojë me ethe, ënjtje të mëlçisë dhe shpretkës, madje edhe vdekjen.
Kushtet më të ngrohta dhe më të lagështa në Evropë favorizojnë përhapjen, pra mbijetesën dhe riprodhimin e mizave dhe parazitëve të tillë në zonat veriore dhe të dhënat tregojnë se numri i tyre është më i lartë në vitet 2010 krahasuar me dekadën e parë të këtij shekulli. Gjithashtu, kushte të tilla janë të përshtatshme për përhapjen e rriqrës Ixodes ricinus, e cila gjithashtu mund të transmetojë një sërë sëmundjesh, duke përfshirë sëmundjen Lyme dhe encefalitin e lindur nga rriqrat, pasojat e të cilave mund të jenë jashtëzakonisht të rënda. Të dhënat tregojnë qartë se klima në dhjetë vitet e fundit është shumë më e përshtatshme për përhapjen e kësaj rriqre në krahasim me periudhën 1951-1960, e matur me numrin e muajve gjatë të cilëve temperaturat ishin ideale për ciklin e tyre jetësor.
/Motilokal.com
