Historike: Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës bëhen realitet

Historike: Observatori dhe Planetariumi Kombëtar i Kosovës bëhen realitet

Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Informacionit, Arberie Nagavci, sot ka marrë pjesë në ceremoninë e hapjes së Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Republikës së Kosovës.

“Nga ky moment, qytetarët tanë do të kenë mundësinë të përfitojnë nga një platformë e re, e cila jo vetëm do t'i inkurajojë, por edhe do t'i edukojë ata, duke siguruar një qendër të përkryer për studime astronomike”, ka thënë Nagavci.

Në ceremoninë e hapjes së Observatorit dhe Planetariumit Kombëtar të Republikës së Kosovës, Ministria dhe Komuna e Shtimes kanë bërë të mundur realizimin e këtij vizioni të madh për zhvillimin e shkencës së astronomisë në vendin tonë. Ky projekt ka filluar para dy vitesh, me një investim të rëndësishëm prej 211,928.45 euro nga buxheti kombëtar dhe kontributi i MAShTI-së, duke krijuar kushte të përshtatshme për hulumtimet shkencore në fushën e astronomisë.

Observatori ynë ofron një ambient të përshtatshëm për studime të thella shkencore nga shkencëtarë vendas, ndërkohë që gjithashtu është një burim frymëzimi për të rinjtë dhe të rejat tanë, të cilët janë të apasionuar nga eksplorimi i hapësirës dhe kozmosit dhe dëshirojnë të zgjerojnë njohuritë e tyre në këtë drejtim.

Ministrja Nagavci inkurajon të gjitha klubet e astronomisë në Kosovë që të thellojnë bashkëpunimin mes tyre dhe siguron mbështetjen e vazhdueshme nga Ministria e saj për këtë qëllim të rëndësishëm kombëtar.


/Motilokal.com