Ministrja Balluku: Pezullimi i transportit ajror dhe detar, vetëm për pasagjerët jo për mallra

Ministrja Balluku: Pezullimi i transportit ajror dhe detar, vetëm për pasagjerët jo për mallra

Në një deklaratë për mediat, ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku foli sa i takon masave të marra nga qeveria sa i takon koronavirusit.

Ajo sqaroi masat e ndërmarra nga qeveria lidhur me kufizimet e pjesshme të linjave të transportit ajror dhe detar të pasagjerëve me veriun e Italisë, sipas rregullave të mirëpërcaktuara në protokollin bazë të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Duhet të nënvijëzoj se i referohemi vetëm rasteve të pasagjerëve.  Ata nuk do të lejohen të fluturojë në destinacionet Milano-Malpensa, Milano-Bergamo, Ankona, Bolonja, Firence, Xhenova, Peruxha, Piza, Rimini, aeroporti i Torinos, Venecias dhe Veronas. Këto destinacione do të jenë të bllokuara për dhe nga Rinasi. Nuk bëhet fjalë për pezullim të avionëve kargo, as në këto desinacione”, u shpreh ministrja Balluku.

Më tej ajo iu bëri thirrje kompanive të prekura nga këto sanksione që t’ju vijnë në ndihmë pasagjerëve duke iu krijuar lehtësira të tilla si ndryshimi i biletës në një destinacion të shtetit italian që është ende i aksesueshëm, siç janë aeroporti i Romës dhe Barit.

“Ndërkohë, sa i përket një tjetër kategorie pasagjerësh, e ka bërë Air Austria dhe e ka bërë Air Albania tek ne, që të gjithë pasagjerët që kërkojnë të ndryshojnë kohën e biletës për një kohë tjetër t’ju jepet mundësia ta rezervojë një moment tjetër dhe të shmangin udhëtimin në këtë periudhë”, tha ministrja.

Ndërsa sa i përket transportit detar, Balluku tha se urdhri për pezullim të udhëtimeve i referohet vetëm pasagjerëve dhe jo mallrave./Motilokal.com