Koronavirusi, Rama: Mbyllen institucionet arsimore për dy javë, pezullohen fluturimet dhe udhëtimet detare me Italinë e Veriut

Koronavirusi, Rama: Mbyllen institucionet arsimore për dy javë, pezullohen fluturimet dhe udhëtimet detare me Italinë e Veriut

Kryeministri Edi Rama ka mbledhur sot kabinetin qeveritar për herë të parë në një mbledhje të jashtëzakonshme për koronavirusin.

Kjo mbledhje vjen pas konfirmimit në mesnatë nga Ministria e Shëndetësisë për dy rastet e para me koronavirus, dy shqiptarë të cilët kishin qenë për disa kohë në Itali nga ku ishin infektuar.

Kryeministri ka thënë se qeveria vë në lëvizje masat e planifikuara pas shfaqjes të rastit të parë të koronavirusit, sipas protokollit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë.

“Këshilla themelore e OBSH dhe baza e të gjitha praktikave të ndjekura nga shtetet e tjera është: ruajtja e qetësisë, marrja e masave hap pas hapi dhe referimi sa më strikt në protokollin zyrtar të organizatës botërore të shëndetësisë, si edhe në burimet zyrtare të informimit shëndetësor”, është shprehur Rama.

Ai ka theksuar se sistemi shëndetësor dhe të gjitha strukturat e përfshira në planin e masave janë në gatishmëri për të përballur me situatën hap pas hapi.

Siç tregojnë eksperiencat e vendeve mbyllja e kufijve është masë drastike dhe nuk përdoret gjerësisht.

Kryeministri Rama është shprehur se planin e veprimit e kemi në tryezë, dhe sot futemi në skenarin e parë. Task forca ka punuar në mënyrë të pandërprerë dhe vazhdon punën për planin e masave në 3 drejtime: Kufizimi, me qëllim parandalimin e përhapjes, shtyrja në kohë e përhapjes dhe lehtësimi i pasojave që mund të sjellë infektimi.

“Jemi në konsultim me OBSH dhe në këtë situatë, thelbësore është vetëpërmbajtja dhe qetësia si dhe zbatimi i orientimeve përkatëse. Kemi vendos në dispozicion edhe financat përkatëse edhe një fond tjetër prej 400 mln lekësh, për të plotësuar disa nevoja të kësaj faze. Me shumë rëndësi që kemi gjet mirëkuptimin e personelit mjekësor, është gati për këtë përballje e mirë informuar dhe e angazhuara”, tha Rama.

“Masat e sotme janë pezullimi i fluturimeve drejt veriut të Italisë dhe drejt zonave të kuqe, deri më 3 prill. Mbyllja e arsimit në të gjithë vendin. Është momenti të mbyllim të gjitha institucionet arsimore dhe të kërkojmë mbylljen e të gjitha aktivieteteve, dëgjesa publike, deri më 3 prill”, deklaroi Rama./Motilokal.com