
Agjencioni i Kosovës për Mbrojtjen e Mjedisit (AMMK) përmes një komunikate ka njoftuar se bazuar në Ligjin për Mbrojtjen e Natyrës dhe arsyeshmërinë fillestare të përgatitur nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, Ministri i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinorë dhe Infrastrukturës Liburn Aliu me datë 10.05.2024 ka nxjerr vendimin për vënie nën mbrojtje paraprake të zonës “Guri i Hoxhës në Grykën e Lumit të Përlepnicës” në territorin e komunës së Ranilugut si zonë e mbrojtur e natyrës.
Në njoftim thuhet se nga vizitat e realizuara në terren nga Instituti i Kosovës për Mbrojtje të Natyrës është konstatuar se zona ka predispozita për vënie nën mbrojtje paraprake duke u bazuar në vlerat me karakter gjeomorfologjik, hidrologjik, speleologjike si dhe vlera të biodiversitetit me të cilat disponon zona.
“Në kuadër të vlerave me karakter gjeomorfologjik të konstatuara në terren janë: Gryka e Lumit Përlepnica dhe prezenca e konsiderueshme e shkëmbinjve gëlqeror me forma karstike sipërfaqësore dhe nëntokësorë”, thekson AMMK.
Tutje AMMK thotë se vlerat me karakter hidrologjik të konstatuara në zonë janë: rrjedha e lumit, ujëvarat artificiale dhe burime uji, ndërsa vlerat e karakterit speleologjik (zbrazëtirat nëntokësore, humnerat, shpellat etj), janë të konstatuara vetëm sipërfaqësisht, të cilat duhet të hulumtohen në vazhdim.
“Gjithashtu zona propozuar për mbrojtje paraprake disponon edhe me vlera të biodiversitetit të konstatuara gjatë vizitave ne terren të cilat do të plotësohen nga hulumtimet e ardhshme në terren. Vendimi përfundimtar për mbrojtjen, sipërfaqen dhe kategorinë e mbrojtjes për zonën do të merret pas përfundimit të hulumtimeve plotësuese në terren të cilat duhet të vazhdojnë brenda afatit të paraparë ligjor prej dy viteve”, thuhet në njoftim.
Vendimi për vënie nën mbrojtje paraprake të zonës “Guri i Hoxhës në Grykën e Lumit të Perlepnicës”
/Motilokal.com