Rama parashikon 30 milionë turistë deri në vitin 2030 në Shqipëri

Rama parashikon 30 milionë turistë deri në vitin 2030 në Shqipëri

Sezoni turistik veror është në prag dhe masat për të siguruar një ecuri sa më të mbarë të tij, tashmë po ndërmerren nga të gjithë institucionet për të garantuar siguri, mikpritje, shërbime dhe infrastrukturë të standardeve të larta për turistët që zgjedhin Shqipërinë si destinacionin e tyre të pushimeve.

Për të bërë një bilanc të masave të parashikuara u zhvillua sot një takim prezantues i punës së bërë deri më tani, me të gjitha nivelet institucionale të vendit, si dhe me përfaqësuesit e industrisë së turizmit, me pjesëmarrjen e Kryeministrit Rama.

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se kërkesa për Shqipërinë në vitin 2030 mund të arrijë deri në 30 milionë turistë, ndaj duhet të punojmë që oferta t’i përgjigjet kërkesës.

Rama iu referua shifrave në rritje të numrit të turistëve të huaj ndërsa u shpreh se “nuk është absolutisht marrëzi të mendosh, duke parë si ka filluar ky vit, që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë përpara vitit 2030”.

“Kujtoj një takim me operatorët turistikë në Durrës ku ata shpreheshin shumë të kënaqur që shifra e vizitorëve të huaj në Shqipëri kishte arritur 5 milionë, dhe unë u thashë pas 5 vitesh mos u çudisni që do të shkojmë 10 milionë. Shumëkush kishte arsye për ta vënë në diskutim këtë parashikim që nuk ishte si hedhje falli ose si ato premtimet që shpeshherë hidhen në ajër nga njerëz që e bëjnë këtë gjë për të kërkuar vota apo mbështetje dhe pastaj i merr era. Ishte tamam si ato parashikimet e rezultatit të zgjedhjeve që janë të bazuara në analiza faktike, në të dhëna konkrete dhe projeksione trendësh që kanë pa diskutim një bazë shkencore”, tha Rama.

“Nëse i kthehem objektivit tonë shumë ambicioz për të pasur 20 milionë turistë në vitin 2030, kam shumë frikë se do të gaboja pasi do të na duhet të shikojmë edhe këtë vit, dhe vitin e ardhshëm, për të pasur më shumë siguri për një projeksion 5-vjeçar. Unë them se nuk është absolutisht marrëzi të mendosh, duke parë si ka filluar ky vit, që shifra e 20 milionë turistëve do të arrihet shumë më përpara dhe në 2030-ën kërkesa për Shqipërinë mund të arrijë deri në 30 milionë”, tha Rama.

Rama tha se kur flasim për këto projeksione dhe rritjen e kërkesës duhet të mos harrojmë asnjëherë ofertën.

“Çfarë ne ofrojmë sot dhe çfarë duhet të bëjmë ne sot dhe vit pas viti që oferta jonë t’i përgjigjet rritjes dhe natyrës së kërkesës. Duhet kuptuar se sa e rëndësishme është ajo që bëjmë ne të gjithë, në të gjitha nivelet e qeverisjes dhe në të gjitha shkallët e institucioneve, por edhe ndërveprimi me sektorin privat”, tha Rama.

 “Ofertës “Made in Albania të turizmit shqiptar na duhet dhe do të bëjmë gjithçka t’i shtojmë edhe certifikatën “Safe stay in Albania”si një destinacion turistik me një siguri mbresëlënëse”, u shpreh ministri i Brendshëm Taulant Balla, në prezantimin e tij, teksa shtoi se “Policia e shtetit ka gati një plan të gjerë masash i cili shtrihet në të gjithë territorin e që ndërthuret me të gjithë agjencitë prezente ligjzbatuese, si dhe me qeverisjen vendore.”

Ndërsa, ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu bëri të ditur se “Duke filluar nga data 1 qershor për të përballuar fluksin e shtuar të turistëve do të hapen 34 qendra shëndetësore sezonale, pra 4 më shumë se vitin e shkuar të shpërndara gjeografikisht në të gjithë Shqipërinë dhe në zona kyçe aty ku ka një fluks të shtuar të turistëve”.

Nga ana e tij, Kryeministri Rama theksoi se është shumë  e rëndësishme ajo çfarë Shqipëria do të ofrojë vit pas viti, në mënyrë që t’i përgjigjet rritjes së jashtëzakonshme të interesit dhe kërkesës.

/Motilokal.com