Në këtë vend është aq vapë sa nuk mund të marrësh frymë dhe nuk është në Afrikë

Në këtë vend është aq vapë sa nuk mund të marrësh frymë dhe nuk është në Afrikë

Filipinet po digjen nga vapa ekstreme të mërkurën, për pasojë mijëra shkolla kanë anuluar mësimet dhe shërbimet kompetente po paralajmërojnë qytetarët që të qëndrojnë sa më pak jashtë.

Marsi, prilli dhe maji janë zakonisht muajt më të nxehtë dhe më të thatë në vend, por kushtet u përkeqësuan këtë vit nga fenomeni i motit El Nino.

“Është kaq nxehtë sa nuk mund të marrësh frymë”, tha Erlin Tumaron, një 60-vjeçar që punon në një vendpushim bregdetar në provincën Cavite, në jug të Manilës, ku indeksi i nxehtësisë arriti në 47 gradë Celsius të martën.

Indeksi i nxehtësisë pritet të arrijë një nivel "të rrezikshëm" prej 42 gradë ose më shumë në të paktën 30 qytete dhe qyteza sot, paralajmëroi Shërbimi Kombëtar i Motit.

Indeksi i nxehtësisë mat se si ndihet temperatura duke marrë parasysh lagështinë në ajër.

Ministria e Arsimit, e cila menaxhon më shumë se 47,600 shkolla në vend, tha se gati 6,700 shkolla kishin pezulluar mësimet.

“Probabiliteti është 50 për qind që vapa të jetë edhe më e keqe në ditët në vijim”, tha meteorologia Ana Solis.

“Ne duhet të kufizojmë kohën që kalojmë jashtë, të pimë shumë ujë, të sjellim çadra dhe kapele”, tha Solis për AFP.

Ajo pretendon se El Nino është arsyeja e “nxehtësisë së madhe” që ka prekur disa pjesë të vendit. Rreth gjysma e provincave të vendit janë zyrtarisht në thatësirë.

Në provincën Occidental Mindoro të goditur nga thatësira, zyrtarja qeveritare Mary Ann Gener tha se njerëzit që punojnë në ambiente të mbyllura, ku ka ajër të kondicionuar, janë mirë.

“Por është e tmerrshme për ata jashtë”, tha ajo. Ju keni dhimbje koke menjëherë pas daljes. Duhet të hidratohesh vazhdimisht.

Në qytetin e Dagupan, në veri të Manilës, punonjësja e universitetit Edz Alteros tha se ajo dhe kolegët e saj nuk dalin më për drekë për shkak të vapës.

Indeksi i nxehtësisë atje arriti të martën në 47 gradë Celsius.

“Ne gjejmë dikë që të blejë ushqim dhe të hajë në zyrë”, tha ajo.

Kondicioneri vendoset në 14-18 gradë gjatë pjesës më të nxehtë të ditës, por në raste të tjera e ulim temperaturën për të parandaluar mbingarkimin dhe prishjen e pajisjeve.

Temperaturat globale arritën nivele rekord vitin e kaluar dhe agjencia e motit dhe klimës e Kombeve të Bashkuara njoftoi të martën se Azia po ngrohet me një ritëm veçanërisht të shpejtë.

Filipinet janë ndër vendet më të cenueshme ndaj ndikimeve të ndryshimeve klimatike.

/Motilokal.com