Kosovë, rekomandohet ngritja e nivelit të gatishmërisë kundër koronavirusit

Kosovë, rekomandohet ngritja e nivelit të gatishmërisë kundër koronavirusit

Në funksion të vlerësimit, koordinimit dhe mbajtjes së komunikimit konstant midis institucioneve përgjegjëse qeveritare për menaxhimin e situatës lidhur me situatën epidemiologjike me koronavirus Covid-19, Komiteti për vlerësimin dhe koordinimin e situatës emergjente për koronavirus ka mbajtur të hënën pasdite takimin e radhës.

Në këtë takim është bërë një raportim lidhur me situatën në vend për sa i përket Koronavirusit, me ç'rast është raportuar se deri me datë 2 mars 2020 në Kosovë nuk ka pasur raste të regjistruara të koronavirusit, derisa aktivitetet janë duke u zbatuar sipas Planit të gatishmërisë dhe reagimit ndaj koronavirusit Covid -19.

Përfaqësues të institucioneve të cilat marrin pjesë në këtë Komitet kanë raportuar për aktivitetet e ndërmarra në përgjegjësitë e tyre.

Komiteti, bazuar në situatën epidemiologjike, ka vlerësuar se popullata nuk ka nevojë të ketë panik, porse kërkohet që të rritet niveli i masave higjienike personale e kolektive si masë parandaluese, derisa po vazhdojnë edhe angazhimet për ngritjen e kapaciteteve të institucioneve shëndetësore me qëllim të përballimit të rasteve eventuale dhe përforcimin e masave mbrojtëse për personelin shëndetësor.

Komiteti, gjithashtu, i ka rekomanduar Qeverisë ngritjen në një nivel më të lartë të shkallës së gatishmërisë dhe të reagimit sipas Planit të Gatishmërisë dhe të Reagimit kundër koronavirusit dhe planeve të tjera të reagimit të parapara për rastet e emergjencave të shëndetit publik./Motilokal.com