Prodhuesit evropianë të automjeteve: Duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për veturat elektrike

Prodhuesit evropianë të automjeteve: Duhet të gjejmë një zgjidhje të përbashkët për veturat elektrike

Tranzicioni ekologjik është një sport ekipor, paralajmëroi presidenti i shoqatës së prodhuesve ACEA dhe shefi i Renault, duke u bërë thirrje politikanëve evropianë të bashkëpunojnë më shumë dhe paralajmërojnë se kompanitë shpesh detyrohen të sakrifikojnë investime afatgjata në kurriz të fitimeve afatshkurtra.

"Unë besoj se ne mund t'i arrijmë qëllimet tona përmes përpjekjeve dhe partneriteteve të përbashkëta midis sektorit publik dhe privat", shkroi Luca de Meo në një letër të shkruar në disa gjuhë përpara zgjedhjeve parlamentare evropiane të qershorit.

“Airbus tashmë na ka treguar se çfarë mund të bëjë Evropa”, shtoi kreu i Renault, duke iu referuar gjigantit evropian të aviacionit.

“Tranzicioni ekologjik është një sport ekipor”, theksoi De Meo. "Nën presionin e tregjeve financiare, prodhuesit evropianë shpesh detyrohen të fokusohen në fitimet afatshkurtra në vend të investimeve afatgjata".

“Kina e zgjidhi problemin duke konsoliduar të gjitha forcat, përfshirë institucionet financiare, për të arritur të njëjtin objektiv”, tha presidenti i ACEA.

Industria evropiane e veturave po përgatitet për një valë modelesh më të lira kineze me teknologji superiore të baterive për automjetet elektrike.

De Meo rekomandon që Evropa të përgjigjet duke nisur dhjetë projekte të mëdha të përbashkëta në fusha strategjike, si veturat e vogla, mbushja inteligjente dhe furnizimi i materialeve kryesore.

Ai gjithashtu mbron krijimin e zonave ekonomike 'të gjelbra', të frymëzuara nga zonat e veçanta ekonomike të Kinës, me një kombinim të subvencioneve dhe investimeve për një periudhë dhjetëvjeçare.

BE hapi një hetim për subvencionet e mundshme kineze, por de Meo thekson se Evropa në të njëjtën kohë duhet të mësojë nga prodhuesit kinezë, të cilët, thotë ai, janë një brez përpara Kontinentit të Vjetër për sa i përket performancës dhe kostove të automjeteve elektrike.

Ne do të duhet të menaxhojmë marrëdhëniet me Kinën, beson presidenti i ACEA. “Përgjigja më e keqe e mundshme do të ishte mbyllja e derës ndaj tyre plotësisht”.

/Motilokal.com