Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu nëpërmjet një urdhri, u ka kërkuar të gjitha shkollave 9-vjeçare dhe atyre të mesme që të shtojnë masat higjieno-sanitare për parandalimin e përhapjes së infeksioneve respiratore akute, ku përfshihet dhe COVID-19 i njohur si Koronavirus.
E para e shëndetësisë në vend ka kërkuar që të sigurohen kushte dhe artikuj higjieno-sanitare në mjediset e këtyre institucioneve.
“Kërkohet sigurimi i higjienës personale për të gjithë fëmijët, nxënësit dhe studentët, që frekuentojnë këto institucioneve sipas udhëzimit të ISHP-së”, ka deklaruar Manastirliu.
Ajo ka theksuar se për fat të mirë deri me tani nuk është raportuar për asnjë rast të prekur me koronavirus, ndërsa strukturat vijojnë punën për të mbajtur situatën nën kontroll.
Ndërsa shefja e epidemiologjisë pranë ISHP-së, Eugena Tomini tha se u është kërkuar të gjithë udhëtarëve që vijnë nga rajoni i Lombardisë në vendin tonë, që të vetizolohen dhe në rast të shfaqjes së shenjave klinike për coronavirus Covid-19 të telefonojnë strukturat spitalore.
Kryeministri i vendit, Edi Rama u shpreh i bindur se Shqipëria do ta kalojë këtë situatë, duke shtuar se autoritetet po punojnë ngushtë sipas rekomandimeve të Organizatës Botërore të Shëndetësisë./Motilokal.com
