Stuhia “Denis” që nga fundjava ka përfshirë Britaninë e madhe dhe disa pjesë të Evropës, duke shkaktuar dëme dhe probleme të shumta.
Shumë lagje, rrugë janë përmbytur, duke shkaktuar kaos në qarkullim për shkak të shirave të dendur dhe erës së fortë.
Mbi 300 paralajmërime të tjera për përmbytje të mundshme janë lëshuar nga autoritetet në Mbretërinë e Bashkuar, përfshirë 5 alarme të rrezikshmërisë së lartë nga stuhia Denis.
Evakuime të mëtejshme do të jenë të nevojshme në zonat e përfshira nga uji, për shkak të rritjes së nivelit të lumenjve.
Sekretari i Mjedisit George Eustice tha për BBC se qeveria ka shpenzuar 2.5 miliardë paund për të trajtuar kushtet ekstreme të motit që nga viti 2015 dhe është zotuar të shpenzojë edhe 4 miliardë të tjerë në pesë vitet e ardhshme. Duke iu përgjigjur kritikave lokale për reagimin ndaj vërshimit të ujërave në York, Eustice sqaroi se 80 milion paundë janë shpenzuar në projekte për mbrojtjen e qytetit nga përmbytjet, dhe shumë të tjera janë në “fazë planifikimi”.
Mijëra banesa qëndrojnë pa energji elektrike, pasi era e fort ka dëmtuar linjat e tensionit të lartë. Autoritetet kanë pezulluar mësimin edhe në shkolla të shumta, ndërsa theksojnë se niveli i ujit në shumë pjesë të Britanisë ka arritur nivele rekord në 40 vitet e fundit./Motilokal.com