Në këtë vend të Evropës po ndërtohet rruga që do të mbushë veturat elektrike gjatë vozitjes

Në këtë vend të Evropës po ndërtohet rruga që do të mbushë veturat elektrike gjatë vozitjes

Në Suedi ka nisur ndërtimi i rrugës së parë të përhershme elektrike në botë, e cila do të mbushë bateritë e automjeteve elektrike në lëvizje.

Vendi ka zbatuar më parë katër pilot-projekte, pra ka ndërtuar katër seksione të përkohshme të elektrizuara, duke përfshirë një në qytetin e Lundit.

Teknologjia e mbushjes së baterisë

Megjithatë, ky seksion i ri 21 kilometra i rrugës do të jetë i përhershëm. Ajo rrugë e elektrizuar po ndërtohet nga Trafikverket - Autoriteti Suedez i Transportit, i cili aktualisht është në kërkim të kontraktorëve për projektin.

Trafikverket nuk ka zgjedhur ende teknologjinë e mbushjes së baterive për t'u përdorur në këtë projekt revolucionar, por projektimi dhe ndërtimi i plotë pritet të përfundojë në vitin 2025, pas së cilës rruga do të vihet në funksion së shpejti.

Janë në qarkullim tre opsione për instalimin e "energjisë elektrike" në rrugë: instalimet e sipërme, shinat elektrike tokësore në sipërfaqen e rrugës që transmetojnë energjinë elektrike nëpërmjet një përcjellësi (i ngjashëm me karrocën e tramvajit) të vendosur nën automjet, ose mbështjellje induktive të ngulitura në rrugë që transmetojnë energji elektrike në automjet me valë.

Seksioni i parë që do të elektrizohet është në autostradën E20, e cila shkon nga Stokholmi në verilindje, përmes Goteborgut, në Malmo në jug. Vetë seksioni i elektrizuar shtrihet midis Halsberg dhe Örebro, dhe u zgjodh qëllimisht pasi është një nga korridoret kryesore të trafikut për transportin tregtar të mallrave.

Zgjidhja optimale

Në mars, Universiteti i Teknologjisë Chalmers i Suedisë publikoi një studim që sugjeronte se një kombinim i rrugëve elektrike (në 25 për qind të rrugëve më të ngarkuara kombëtare dhe evropiane) dhe mbushjes në shtëpi i automjeteve elektrike do të ishte zgjidhja optimale për kalimin në automjete elektrike.

Në atë rast, sipas shkencëtarëve, bateritë në automjetet elektrike mund të jenë dukshëm më të vogla.


/Motilokal.com