Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) ka njoftuar se në kuadër të aktiviteteve të planifikuara për vitin 2023, Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës ka realizuar edhe projektin për shenjëzimin e monumenteve të natyrës nga lista e zonave të mbrojtura. Projekti ka përfunduar me sukses gjatë këtyre ditëve me që rast janë shenjëzuar vlerat e trashëgimisë natyrore në territorin e komunës së Mitrovicës dhe ato në territorin e komunës së Rahovecit.
Sipas njoftimit të AMMK-së në territorin e komunës së Mitrovicës janë shenjëzuar këto zona të mbrojtura: Shpellat e Kaçandollit-Kaçandol Kroni i Akullit-Rahovë, Ujëvara e Trepçalive- Milenicë, Trungu i ahut dhe burimi i ujit nen rrënje- Ovçar, Trungjet e qarrit dhe Trungu i ahut në Zabërgjë, Burimi i ujit mineral- Mazhiq, Trungu i ahut-Bare, Trungjet e ahut-Bajgorë dhe Ahishtat e Llomovës-Selac.

“Ndërsa në territorin e komunës së Rahovecit janë shenjëzuar këto zona të mbrojtura: Shpella e Bali Agës dhe ajo e Peshterrit-Zatriq, Trungjet e dushkut- Dabidol, Trungu i bungut-Nagavc, Trungu i frasherit dhe trungu i shpardhit- Kaznik, Trungjet e shpardhit-Drenoc dhe Trungjet e dushkut në Bratotin”, thuhet në njoftim.
AMMK thekson se në kuadër të këtij projekti janë vendosur gjithsejtë 24 tabela informuese në zonat e mbrojtura, 13 në territori e komunës së Mitrovicës dhe 11 në territorin e komunës së Rahovecit.
/Motilokal.com
