Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka premtuar se do ta zgjedh çështjen e uji të pijshëm pasi liqeni nga furnizohet po shteret në mungesë të reshjeve.
Ai po ashtu ka theksuar se Autostrada e Anamoravës do të ndërtohet gjatë këtij mandati qeverisës.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Abdixhiku ka thënë se ndërtimi i kësaj autostrade është pika e parë infrastrukturore e programit të qeverisë së re, por se do të bëhet sipas ligjeve në fuqi.
“Autostrada e Anamoravës do të bëhet dhe pikë. Brenda këtij mandati qeverisës. Është pika e parë infrastrukturore e programit të qeverisë së re. Por do të bëhet sipas ligjeve në fuqi. Sipas Buxhetit 2020! Me ligj dhe mirë”, është shprehur Abdixhiku.
Më tej ministri Abdixhiku ka theksuar se po punohet edhe për zgjidhjen e problemit të thatësisë në Gjilan.
“Dhe jo vetëm autostrada për Anamoravën. Sot takova zyrtarët e Bankës Botërore. U dakorduam të përshpejtojmë marrëveshjen për kredi që kishte mbetur në harresë. 60 milionë euro investime në ujëra për ndërtimin e digave në regjionin e Gjilanit dhe kështu adresimin e problemit të thatësisë njëherë e mirë”, ka shkruar ministri Abdixhiku./Motilokal.com
