Moti i ligë, bora e madhe në juglindje sjell probleme në rrugë, energji dhe mbyllet procesi mësimor

Moti i ligë, bora e madhe në juglindje sjell probleme në rrugë, energji dhe mbyllet procesi mësimor

Moti i ligë ka vijuar edhe gjatë 24 orëve të fundit në juglindje të vendit duke shkaktuar probleme kryesisht në zonat e thella malore. Lëvizja e mjeteve është vështirësuar në fshatrat e thella të njësive administrative Dardhas e Trebinje të Pogradecit, Lekas të Bashkisë së Korçës si dhe Çlirim të Bashkisë Kolonje. Shkollat në Pepellash dhe Butkë janë mbyllur për shkak të mosfunksionimit të ngrohjes. Në disa shkolla të tjera të zonave malore të juglindjes për shkak të kushteve të vështira të motit, mësimi është kryer me orar të reduktuar.

Njoftimi i plotë i gjendjes së rrugëve në Shqipëri nga ARRSH:

Rajoni Verior

Gjatë natës ka pasur temperatura të ulëta dhe erë të fortë në të gjithë Rajonin.

Është punuar për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në zonat ku ka prezencë ngricash.

Si pasojë e erës së fortë që kthen borën në rrugë dhe temperaturave të ulëta në segmentet Kolesian-Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë-Steblevë kalohet me zinxhirë.

Të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri dhe po vazhdojnë punën për pastrimin e akseve dhe shpërndarjen e kripës.

Rajoni Qendror:

Gjatë natës nuk ka pasur reshje. Kontraktorët kanë punuar që në orët e para të mëngjesit për shpërndarjen e kripës në segmentet ku ka ngrica.

Vetëm në segmenti Lunik-Steblevë, rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë.

Prezencë ngricash ka pasur edhe në segmentet Krujë-Sarisalltik, Elbasan-Gjinar dhe rruga e “Qafë Krrabës”. Është bërë shpërndarja e kripës nga kontraktorët dhe po mbahen në monitorim të vazhdueshëm.

Rajoni Jugor:

Gjatë natës ka pasur reshje bore në Qarkun e Korçës, shoqëruar me erëra të forta në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit.

Në aksin Boboshticë-Dardhë, në km 5–14, dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë, për shkak të erës së fortë.

Është bërë pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë.

Të gjithë kontraktorët janë në gatishmëri dhe po punojnë për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës në akset rrugore.

Rekomandohen përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të përdorin zinxhirë në segmentet e rekomanduara, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore./Motilokal.com