Reshjet e mëdha të borës kanë mbuluar disa pjesë të Kosovës, ndërsa në viset malore trashësia ka arritur mbi 70 centimetra.
Komuna e Dragashit është e vetmja komunë e Kosovës që është e vendosur brenda maleve me mbi 1000 metra lartësi mbi detare dhe reshjet e borës janë të mëdha në këtë pjesë. Po ashtu kjo komunë po përballet edhe me erëra të forta dhe të rrezikshme.
Duke e parë gjendjen meteorologjike Drejtoria e Arsimit e kësaj komune ka vendosur që ta pezullojë mësimin për ditën e enjte (06.02.2020) për të mos rrezikuar nxënësit.
“Njoftohen të gjithë nxënësit dhe mësimdhënësit e komunës së Dragashit se për shkak të reshjeve të shumta të borës, erërave të forta dhe rrezikshmërisë që mund të hasin nxënësit gjatë udhëtimit për në shkollë, drejtoria e arsimit në Dragash ka marrë vendim që nesër me datë 06.02.2020 të pezullohet mësimi. Dita e humbur do të zëvendësohet në një ditë të shtunë. Mësimi i rregullt vazhdon të premten me datë 07.02.2020”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Arsimit në Dragash./Motilokal.com
