Problematikat kryesore të lidhura me ndryshimet klimatike për vitin 2019 në botë

Problematikat kryesore të lidhura me ndryshimet klimatike për vitin 2019 në botë

Viti 2019 përmbylli një dekadë jo të zakontë për Tokën, valët e të nxehtit, shkrirja e akullnajave apo rritja e nivelit të oqeaneve janë dukuri që përcollën këtë dekadë, ku shkaktari i gjithë kësaj është faktori human. Parashikohet se temperaturat mesatare për periudhat pesë-vjeçare (2015÷2019) dhe dhjetëvjeçare (2010÷2019) do jenë më të lartat e regjistruara. Organizata Botërore e Meteorologjisë (OBM) raporton se viti 2019 mund të rezultojë viti i dytë/tretë më i ngrohtë i regjistruar në të gjitha kohërat. Sipas OBM temperatura mesatare globale gjatë periudhës (Janar÷Tetor) 2019 ishte rreth 1.1 gradë Celsius më e lartë se ajo e periudhës para-industriale. Përqendrimet e CO2 në atmosferë shënuan një nivel rekord prej 407.8 (ppm) pjesë për milion regjistruar në 2018 dhe vazhduan në trend rritës edhe gjatë kësaj periudhe të vitit 2019.

Zëra nga OBM thonë se nëse ne nuk ndërmarrim veprime urgjente për klimën do shkojmë drejt një rritje të temperaturës me më shumë se 3°C deri në fund të shekullit, gjë që do sjellë ndikime gjithnjë e më të mëdha në mirëqenien e njerëzve.

Ndikimet nga ndryshimi i klimës shfaqen përmes motit ekstrem dhe jo të zakonshëm. Në vitin 2019, rreziqet në lidhje me motin dhe klimën qenë të shumta. Valët e të nxehtit dhe përmbytjet që dikur përbënin ngjarje të rralla (një herë në shekull) po bëhen dukuri më të shpeshta. Vende të ndryshme duke filluar nga Bahamas në Japoni deri në Mozambik kanë pësuan efektin e cikloneve tropikale shkatërruese dhe zjarre njëkohësisht të shumta përfshinë Arktikun dhe Australinë. Një nga ndikimet kryesore të ndryshimit të klimës është dhe çrregullimi i regjimit të reshjeve, i cili përbën një kërcënim për rendimentet e kulturave bujqësore dhe ndryshime të shumta demografike.

Ndryshueshmëria e klimës dhe ngjarjet ekstreme të motit janë ndër nxitësit kryesorë të rritjes së urisë globale dhe një nga shkaqet kryesore të krizave të rënda. Midis 33 vendeve të prekura nga krizat ushqimore në vitin 2018, ndryshueshmëria e klimës dhe moti ekstrem është një ndër faktorët përcaktues dhe faktor kryesor në 12 nga 26 vende me luhatje ekonomike.

Oqeani - vepron si një tretësirë puferike (rregullator) duke absorbuar nxehtësinë dhe dyoksidin e karbonit. Në dekadën e fundit 2009÷2018, oqeani përthithi rreth 22% të emetimeve vjetore të CO2. Sasia në rritje e përqendrimeve të CO2 atmosferik ndikon në përbërjen kimike të ujërave të oqeanit, ku vëzhgimet në oqeane kanë treguar një ulje të mesatares globale të pH në sipërfaqe të tyre me një normë prej 0.017-0.027 njësi pH për dekadë që nga fundi i viteve 1980, e cila është e barabartë me një rritje të aciditetit prej 26% që nga fillimi i revolucionit industrial, ndërkohë që temperaturat e ujit të oqeaneve janë në nivele rekord është konstatuar se flora & fauna detare po degradon.

Ulja e sasisë së akullit të deteve - Rënia e vazhdueshme e sipërfaqes së Akullit të Detit Arktik u konfirmua në vitin 2019. Shkalla mesatare mujore për Shtatorin (zakonisht më e ulta e vitit) ishte e treta më e ulët e regjistruar ndonjëherë .

Përmbytjet - Pjesa qendrore në SHBA, Kanadaja Veriore, Rusia Veriore dhe Azia Jugperëndimore patën reshje të pazakonta dhe mjaft të larta. Për periudhën Korrik 2018 deri në Qershor 2019 në SHBA ranë mesatarisht 962 mm reshje, sasia më e lartë e regjistruar ndonjëherë. Fillimi dhe tërheqja e Musonit Indian shkaktoi një deficit të madh reshjesh në qershor, por solli një sasi të lartë reshjesh në muajt në vijim. Kushtet atmosferike të lagështa prekën pjesë të Amerikës së Jugut në Janar dhe përmbytje të mëdha ka patur në Argjentinën veriore, Uruguain dhe Brazilin jugor.

Thatësira. - Thatësira preku shumë pjesë të Azisë Juglindore dhe Paqësorit Jugperëndimor në vitin 2019. Kushtet jashtëzakonisht të thata mbizotëruan nga mesi i vitit e në vazhdim në Indonezi dhe vendet fqinje, si dhe pjesë në pellgun Mekong deri më në veri. Kushtet e thatësirës afatgjata që prekën pjesë të Australisë lindore në 2017 dhe 2018 u zgjeruan dhe intensifikuan gjatë vitit 2019. Thatësira preku shumë pjesë të Amerikës Qendrore dhe dukshëm më e thatë se normalja ishin vendet si Honduras, Guatemala, Nikaragua dhe El Salvador, thatësirë që zgjati deri në tetor. Kili Qendror gjithashtu kishte një vit jashtëzakonisht të thatë, 82 mm shi ranë nga Janari deri më 20 Nëntor, 25% më pak se mesatarja shumëvjeçare.

Valët e të nxehtit - Dy valë të nxehti prekën Evropën në fund të qershorit dhe korrikut. Në Francë, u regjistrua një rekord kombëtar prej 46.0°C (1.9°C mbi rekordin e mëparshëm), i cili u vendos më 28 qershor. Australia gjithashtu pati një verë jashtëzakonisht të nxehtë, Janari ishte muaji më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë në Australi duke arritur vlerën 46.6°C në Adelaide në 24 Janar.

Zjarret - 2019 ishte një vit, i cili regjistroi një numër relativisht të lartë zjarresh në disa rajone dhe që patën shtrirje të gjerë si Siberia (Federatën Ruse) dhe Alaska (SH.B.A), zjarre pati dhe në disa pjesë të Arktikut, ngjarje jashtëzakonisht e rrallë dhe e pa vrojtuar më parë.

Ciklonet Tropikale - Aktiviteti i cikloneve tropikale globale për vitin 2019 ishte mbi mesataren. Hemisfera Veriore deri më sot, ka pasur 66 ciklone tropikale, krahasuar me një vit më parë që ishin 56, ndërsa energjia e akumuluar e cikloneve (ACE) ishte vetëm 2% mbi mesataren. Për Hemisferën Jugore 2018-2019 ishte gjithashtu mbi mesataren, me 27 ciklone te vrojtuara. Një nga ciklonet tropikale më të forta të vitit ishte “Dorian”, i cili arriti intensitet të kategorisë 5 në Bahamas. Ndërsa tajfuni “Hagibis” preku pjesën perëndimore të Tokios më 12 Tetor duke shkaktuar përmbytje të mëdha.

Zhvendosja e popullatës - Raportohet se më shumë se 10 milion emigrime të reja janë regjistruar midis janarit dhe qershorit 2019, 7 milion janë rezultat i katastrofave si Ciklon “Idai” në Afrikën Juglindore, Ciklon “Fani” në Azinë e Jugut, Uragani “Dorian” në Karaibe, përmbytja në Iran, Filipine dhe Etiopi, etj. të cilat janë shoqëruar me nevoja emergjente humanitare dhe mbrojtëse. Numri i zhvendosjeve të reja (lëvizjeve demografike) e thënë ndryshe dhe “emigrantët klimatik” që lidhen me ekstremitetet e motit mund të trefishohen në rreth 22 milion (deri në fund të dhjetorit)./Motilokal.com