Kaq para mund të fitoni nëse adaptoni një qen

Kaq para mund të fitoni nëse adaptoni një qen

Komuna e Prishtinës ka nisur aksionin për largimin e qenve endacakë nga rruga dhe dërgimin e tyre në strehimore të licencuar nga Agjencia e Veterinës dhe Ushqimit (AVUK), ku do të trajtohen si duhet dhe përgatiten më pas për adoptim. Gjithashtu, është bërë e ditur se do të subvencionohen me nga 50 euro në muaj të gjitha ata që shprehin interesim për të adoptuar qen, ndërsa maksimumi i lejuar për një person për adoptim të qenve është deri në 5.

Nisjen e këtij aksioni e kanë përcjellë Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica dhe disa këshilltarë komunalë.

“Ky aktivitet do të vazhdojë për ditët në vazhdim. Qëllimi është që qentë të largohen nga rruga dhe të vendosen në strehimore të licencuar nga AVUK-u, ku do të trajtohen në mënyrë humane, dhe Komuna do të vazhdojë të subvencionojë këtë strehimore për qentë që do t’i mbajë, ku do t’i përgatisim edhe për adoptim”, ka deklaruar Fushtica në komunikatën për media.

Komuna po ashtu thotë se është duke e përgatitur rregulloren për trajtimin e qenve endacakë, ku përfshihet edhe mënyra se si mund të adoptohet një qen i tillë, të cilin do ta trajtojë falas në çfarëdo kohe veterinari i Prishtinës në qendrën për trajtimin e tyre e cila gjendet në Hajvali dhe që paralajmërohet se do të hapet së shpejti.

“Do t’i subvencionojmë edhe qytetarët që janë të interesuar të adoptojnë qentë. Një person që e merr një qen do të subvencionohet me 50 euro në muaj. Qytetarët mund t’i marrin deri në 5 qenë” ka deklaruar Drejtori për Siguri dhe Emergjenca, Lulzim Fushtica.

Prishtina është duke ndërmarrë veprime të shumta për trajtimin e qenve endacakë, ku deri tani janë ndarë 1 milion e 300 mijë euro.

/Motilokal.com