Parku Kombëtar i Drilonit - Oazë e qetësisë dhe bukurisë natyrore të Shqipërisë

Parku Kombëtar i Drilonit - Oazë e qetësisë dhe bukurisë natyrore të Shqipërisë

Parku Kombëtar i Drilonit është një nga pikat turistike më të frekuentuara në Shqipëri.

Ky monument i mrekullueshëm natyre është po kaq i bukur dhe mahnitës në çdo stinë e sidomos në pranverë, kur shpërthen e gjelbra.

Driloni apo Voloreka siç e quajnë pogradecarët, është një nga mrekullitë e Shqipërisë. Me urat e vogla me dru, lulishtet e rrethuara nga shelgjet, varkat që lëkunden mbi rrugicat ujore, e kanë kthyer këtë vend në një nga pikat më tërheqëse për turizëm.

Ai ndodhet 5 kilometra në lindje të Pogradecit, fare pranë fshatit turistik të Tushemishtit.

Driloni është një burim karstik që përbëhet nga tre vija uji që rrjedhin për t’u derdhur disa dhjetëra metra më tej, në bregun jug-lindor të liqenit.


Njëri prej tyre, ai më kryesori krijon një basen të madh ujor, ku mund të shëtitësh, vozitësh me varkë, të shijosh bukuritë e florës dhe faunës së pasur.

Pemët e vërrisë, rrapit, plepit, shelgjeve lotues apo kallamishtet e bëjnë më të freskët dhe më të pastër ajrin.

Ndërsa mjellmat dhe shpendët e tjerë që gjallojnë këtu, si dhe peshku i freskët, ofron një peizazh të mrekullueshëm.

Burimet e lumit të Drilonit  rrëzë kodrave dhe kanë një pamje te pakrahasueshme. Këtë monument natyre mund ta vizitoni në qoftë se ndiqni rrugën Pogradec - Dogane - Shën Naum. Ai është një burim i madh  që buron me rrjedhje vertikale te ujit në fund të bllokut gëlqeror, duke vazhduar me pas rrjedhjen në Liqenin e Ohrit. Uji vjen nga Liqeni i Prespës përmes Malit të Thatë. Uji më pas del jashtë si një burim i madh i veçantë me një rrjedhje prej 7 m³/s.

Përgjatë një pjese të lumit të Drilonit shtrihet edhe Parku i Drilonit i cili është i rrethuar me bimësi të dendur dhe ka një botë të pasur kafshësh. Ky vend ka qene i preferuar për te kaluar pushimet nga Mbreti Zog dhe nga Enver Hoxha. Ju mund të vizitoni shtëpinë e tij, që tashmë është shndërruar në hotel dhe restorant.

Parku Drilon nuk është vetëm një destinacion natyror, por gjithashtu shërben si vend pushimi dhe argëtimi për banorët vendas. Shumë familje vizitojnë parkun për të kaluar kohën me fëmijët e tyre, duke luajtur, festuar apo organizuar piknike në mjedisin e tij të jashtëzakonshëm.

/Motilokal.com