Rusia shkatërron digën gjigante në Ukrainë, shkaktohen përmbytje masive dhe evakuohen banorët

Rusia shkatërron digën gjigante në Ukrainë, shkaktohen përmbytje masive dhe evakuohen banorët

Lajmi se diga Nova Kahovka në Kherson në pjesën e kontrolluar nga Rusia pranë lumit Dnieper është hedhur në erë ka shkaktuar shqetësim tek të gjithë.

Ukraina akuzoi të martën forcat ruse se hodhën në erë një digë të madhe dhe një hidrocentral në një pjesë të Ukrainës jugore që kontrollohet nga Rusia, duke rrezikuar përmbytje masive. Autoritetet ukrainase urdhëruan qindra mijëra banorë që jetojnë përgjatë lumit, të evakuohen.

Zyrtarët rusë thanë se diga Kakhovka u dëmtua nga sulmet ushtarake ukrainase në zonën e kontestuar.

Pasojat mund të jenë të gjera: përmbytje e shtëpive, rrugëve dhe bizneseve në rrjedhën e poshtme; ulje e niveleve të ujit në rrjedhën e sipërme që ndihmon në ftohjen e termocentralit më të madh bërthamor të Evropës; dhe shterjen e furnizimeve me ujë të pijshëm në jug në Krime, të cilën Rusia e aneksoi ilegalisht.

Shkatërrimi i digës shtoi një element të ri kompleks në luftën e Rusisë në Ukrainë, tani në muajin e saj të 16-të, ndërsa forcat ukrainase shihet se po ecin përpara me një kundërofensivë të pritur prej kohësh në një zonë prej më shumë se një mijë kilometrash të vijës së frontit në lindje dhe në jug të Ukrainës.

Operatori bërthamor i Ukrainës Energoatom, tha në një deklaratë në rrjetin Telegram se shpërthimi i digës "mund të ketë pasoja negative për termocentralin bërthamor të Zaporizhias", pranë digës, por tani për tani situata është "e kontrollueshme".

Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike shkroi në Twitter se ekspertët e saj po vëzhgonin nga afër situatën në termocentral dhe se nuk kishte “asnjë rrezik të menjëhershëm të sigurisë bërthamore” në objekt.

Sipas Grupit të Punës për Pasojat Mjedisore të Luftës në Ukrainë, një shembje e tërësishme e digës do të merrte para vetes pjesën më të madhe të bregut të majtë dhe një rënie e madhe e rezervuarit ka mundësinë ta lërë centralin bërthamor pa ftohje thelbësore, si dhe të thajë furnizimet me ujë në veri të Krimesë.

Pse është kaq e rëndësishme diga?

E ndërtuar në vitin 1965, diga ka një rezervuar masiv me të njëjtin vëllim si Liqeni i Kripur në Utah. Në rezervuarin e tij ka 18 kilometra kub ujë. Një çarje e digës mund të përmbysë rajonin, madje duke prekur Kherson, të cilin forcat ukrainase e rimorën në fund të vitit 2022.

Uji nga rezervuari furnizon gadishullin e Krimesë në jug, i cili u aneksua nga Rusia në 2014 si dhe termocentralin bërthamor i Zaporizhia, më i madhi në Evropë në veri.

Impianti i Zaporizhia ka nevojë për një furnizim të pandërprerë për të ftohur reaktorët e tij. Kështu, mund të ketë “pasoja negative” për centralin bërthamor, siç paralajmëroi kompania shtetërore ukrainase e energjisë bërthamore Energoatom, duke vënë në dukje megjithatë se situata është aktualisht nën kontroll.

Shkatërrimi i digës do të përkeqësojë problemet energjetike të Ukrainës, pasi Rusia në fillim të këtij viti synoi sistematikisht infrastrukturën e saj jetike.

Që nga fillimi i luftës, diga është identifikuar si një objektiv potencial për rëndësinë e saj strategjike.  Pasi u mora nga Rusia në fillim të pushtimit të Moskës në shkurt 2022, që atëherë ka mbetur nën kontrollin rus.

Në tetor, ndërsa Ukraina mori në kontrollin e saj pjesë të Khersonit të pushtuar, Presidenti Volodymyr Zelensky i kërkoi Perëndimit të paralajmërojë Rusinë kundër shkatërrimit të digës.

Në atë kohë, ai kishte raportuar se forcat ruse kishin vendosur eksploziv brenda saj.

Çfarë ndodhi tjetër gjatë këtij viti?

Në maj, banorët e një fshati aty pranë raportuan për përmbytje të vazhdueshme, për të cilat fajësuan palën ruse. Duke folur për agjencinë e lajmeve Reuters, banorët thanë se niveli i ujit kishte filluar të rritet në prill, ndonjëherë deri në 30 cm në ditë.

/Motilokal.com