Ujësjellësi 'Prishtina' njofton për nivelin e ujit në liqenet Batllava dhe Badovci, apelon për shpenzim racional

Ujësjellësi 'Prishtina' njofton për nivelin e ujit në liqenet Batllava dhe Badovci, apelon për shpenzim racional

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” (KRUP), përmes një komunikate ka njoftuar për gjendjen e nivelit të ujit në liqenet akumuluese sipërfaqësore Batllava e Badovci, duke theksuar se është kënaqshëm.

Sipas KRU “Prishtina” niveli i ujit në liqenin e Batllavës është 0.23 metra nën nivelin maksimal të kapërderdhjes, ndërsa liqeni i Badovcit 2.45 metra nën nivelin e kapërderdhjes.

Ujësjellësi “Prishtina” tregon se ka plane për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet te merren për menaxhimin e situatave në akumulacione.


“Kemi plane konkrete për menaxhimin e thatësirës dhe në varshmëri të niveleve parashikohen edhe hapat që duhet te merren për menaxhimin e situatave në akumulacione dhe burime nëntokësore në vitet me thatësira që vijnë si rezultat i ndryshimeve klimatike në tokë”, thuhet në njoftim.

KRUP thekson se vendet, sidomos ato të botës në zhvillim dhe rajone të tjera që tashmë janë duke vuajtur nga mungesa e ujit, ka gjasa të mbajnë peshën e thatësirës dërmuese ne dekadën që po hyjmë. Pra, theksojmë edhe njëherë se, është shumë me rëndësi që të gjithë së bashku të menaxhojmë përdorimin e ujit të pijshëm dhe të raportojmë me kohë rrjedhjet e ujit dhe keqpërdorimet.

Ujësjellësi “Prishtina” thotë se po i afrohemi zezonës së verës dhe kërkesa për ujë po rritet, apelon për shpenzim racional të ujit.

“Jemi duke hyrë në sezonin e verës dhe kërkesa për ujë fillon të rritet. Shpenzimi racional i ujit të pijshëm në këtë periudhë është i domosdoshëm. Uji sot nuk duhet të shfrytëzohet në mënyrë të pakontrolluar, me ç’rast mund t’i zvogëlojmë rezervat e ujit të pijshëm. Roli i ujit është thelbësor për qeniet e gjalla dhe planetin, ai na nevojitet për pije, shtëpi dhe kopshte, por me rëndësi është ta kuptojmë domethënien e përdorimit jo të drejtpërdrejt të ujit si për prodhim, furnizim dhe zhvillim”, apelon Ujësjellësi “Prishtina”.

/Motilokal.com