Rizvanolli: Kosovës po i shtohen edhe 100 MW energji diellore

Rizvanolli: Kosovës po i shtohen edhe 100 MW energji diellore

Sot është mbajtur Konferenca e Para-Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW, në të cilën konferencë morën pjesë Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti dhe Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) në Kosovë, Jeffrey M. Hovenier.

Ministrja Rizvanolli në Konferencën e Para-Ofertimit për Ankandin Solar 100 MW tha se kapacitetet e energjisë së ripërtëritshme të energjisë janë çelësi për pavarësi energjetike duke siguruar zhvillim të qëndrueshëm ekonomik si një nevojë për vendin tonë, duke siguruar furnizim të qëndrueshëm me energji, çmime të përballueshme për qytetarët dhe bizneset.

Ajo potencoi se ndërtimi i këtyre kapaciteteve të reja të energjisë është shumë i rëndësishëm për nxitjen e investimeve private përmes një procesi transparent dhe konkurrues ashtu që do të sigurojë cilësi dhe çmime të përballueshme për konsumatorët tanë.

Rizvanolli shtoi se me këtë ankand të parë solar, ne do të kemi 100 MW shtesë prodhim të energjisë duke kontribuar në diversifikimin e miksit të energjisë, inovacionit dhe konkurrencës në këtë sektor e po ashtu edhe në përmirësimin e kualitetit të jetës për qytetarët e vendit tonë.

“Pavarësia energjetike është siguri për zhvillim. Do të gjenerojmë edhe praktikat e reja. Investimet dhe puna që po bëjmë është garanci për zhvillim edhe të fuqisë punëtore që është e aftë të punojë në këtë sektor”, u shpreh Rizvanolli.

Ndërsa, ambasadori amerikan, Jeffrey M. Hovenir tha se ankandi paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në integrimin në BE ku shtoi se kriza energjetike e qartësoi rëndësinë e furnizimit të qëndrueshëm me energji elektrike.

“Më vjen mirë që po e shoh që edhe sektori privat është i përfshirë në këtë proces. Përfshirja e tyre është jetike në arritjen e qëllimeve. I përgëzoj prijësit e Kosovës për një proces transparent dhe për bashkëpunimin me sektorin privat. Ky ankand paraqet një hap të rëndësishëm të Kosovës në integrimin në BE”, tha ai.

Ky impiant solar pritet që t’i furnizojë rreth 20 mijë familje me energji të pastër, të gjenerojë vende të reja të punës, të sjellë teknologji të avancuar, dije si dhe praktika të reja në Kosovë.

/Motilokal.com