Ministria e Jashtme e Kinës ka mbledhur ambasadorët e akredituar në Pekin, për t’i informuar mbi situatën pas shpërthimit të epidemisë së koronavirusit në Wuhan. Në këtë takim ka marrë pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Kinë, Selim Belortaja, i cili në një postim në Facebook u shpreh se Ministria e Jashtme kineze nuk dha ndonjë përcaktim mbi perspektivën e afërt dhe ecurinë e kurbës së të prekurve.
“Situata vazhdon e nderë, u theksua mobilizimi i jashtëzakonshëm, transparenca dhe bashkepunimi me OBSH, por pa ndonjë përcaktim mbi perspektivën e afërt dhe ecurinë e kurbës së të prekurve. Na u kërkua ruajtje e qetësisë, evitim i çdo paniku që do të ishte siç u shpreh raportuesi .. “më dëmprurës se sa ..vetë virusi”, si dhe besim! U referuan përballje të ngjashme (SARS ne 2003 dhe pastaj epidemi e pandemi te tjera si H5N1, Ebola, etj) nga të cilat Kina ka fituar përvojë dhe do bëjë çmos ta fitojë edhe këtë betejë. Na u njoftuan linjat e komunikimit emergjent në MPJ (për komunikim prej nesh) dhe në vatrën e virusit Hubei (027 -86122256 dhe 027 -87811173). Ndërkohë ende virusi nuk dëshmohet plotësisht i kontrollueshëm dhe i trajtueshëm përderisa shifrat vazhdojnë ngjitjen:, u shpreh ambasadori Bleortaja.
Ai publikoi edhe disa të dhëna të numrit te të prekurve nga ky virus vdekjeprurës.
Deri më sot raportohen:
• 2,823 raste të konfirmuara infeksioni
• 5,794 raste të dyshuara
• 59 të shëruar
• 81 humbje jetësh.
Sipas tij provinca e Hubeit me kryeqytet Wuhan ka numrin dërmues të rasteve. Ndërsa Pekini ka 72 raste të konfirmuara, 2 të rikuperuar dhe një rast vdekje.
“Thuajse të gjitha provincat kanë raportuar raste dhe në shumicën prej tyre është shpallur gjendja e emergjencës së shkallës së parë. Ndërkohë, përveç Kinës dhe disa vendeve të Azisë, virusi tashmë është shfaqur edhe në kontinente të tjera, përfshirë edhe Evropën”, theksoi ambasadori shqiptarë në Kinë.
Ambasadori Bleortaja deklaroi se asnjë i infektuar mes rreth 400 shqiptarëve që ndodhen në Kinë prej të cilëve 60 studentë.
“Zhvillimet na sugjerojnë të përsërisim thirrjen për kujdes, shmangja udhëtimesh dhe respektim të udhëzimeve e rregullave. Kemi vetëm një studente në Wuhan të cilën po bëjmë çdo përpjekje ta nxjerrim, sado që kjo kërkon disa procedura lejesh dhe aplikimesh dhe rregulla karantine 14 ditore edhe pse nga testi fillestar ajo doli ok! 3 të tjerët, në dijeninë tonë janë larguar nga Wuhani dhe kanë mbërritur ose po mbërrijnë në atdhe”, theksoi ai.
Më tej ai tha se janë ftuar të gjithë shqiptarët që studiojnë, punojnë ose thjesht ndodhen në Kinë, të identifikohen në e-mailin e ambasadës dhe të raportojnë gjendjen dhe adresën. Ndjekim situatën dhe i raportojmë MEPJ.
“I bëj thirrje familjeve të atyre që kanë ndarë mendjen të kthehen, të mos hezitojnë po të sakrifikojnë edhe kësaj here për një biletë udhëtimi të njeriu të tyre. Ambasada nuk e ka mundësinë te paguajë, ndërsa as MPJ kineze nuk ofroi gjë për financim lëvizjesh. Uroj dhe besoj fort në një shëndet të pacenuar të bashkëkombësve tanë dhe i uroj Kinës fitore të shpejtë të kësaj beteje”, u shpreh ambasadori Blerotaja./Motilokal.com
