Virusi kinez, Instituti i Shëndetësisë me rekomandime dhe vendos një ekip mjekësor në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Virusi kinez, Instituti i Shëndetësisë me rekomandime dhe vendos një ekip mjekësor në Aeroportin ‘Adem Jashari’

Virusi kinez, i cili deri tani ka infektuar me qindra njerëz në tërë botën, dhe është përhapur në 10 shtete të ndryshme, ka alarmuar edhe Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK), duke marrë masa dhe rekomandime për ta ndaluar depërtimin e këtij virusi në Kosovë.

“Ashtu siç jemi të informuar, më datë 31 dhjetor 2019, OBSH u njoftua për disa raste të pneumonisë në qytetin Wuhan, Provinca Hubei të Kinës. Virusi nuk përputhej me ndonjë virus tjetër të njohur. Kjo ngriti shqetësimin sepse kur një virus është i ri, ne nuk e dimë se si përhapet tek njerëzit”, thuhet në njoftimin e IKSHPK-së.

IKSHPK bën me dije se virusi i ri është koronavirus, i cili është familje e viruseve që shkakton rrufë të zakonshme (ftohje) si dhe SARS dhe MERS. Ky virus i ri u emërua përkohësisht "2019-nCoV".

“Në bazë të vlerësimit të rrezikut të cilin e ka bërë IKSHPK bazuar në mjetet e OBSH-së dhe Qendrës Evropiane për Parandalim dhe Kontroll të Sëmundjeve Ngjitëse (ECDC), pasi që ANP “Adem Jashari” nuk ka fluturime të drejtpërdrejta nga Kina, por mund të ketë lidhje tranzit nga Kina për vendin tonë, gjasat për përhapje të virusit në vendin tonë janë akoma të vogla. Megjithatë, duhet të ngrisim vigjilencën dhe monitorimin e rasteve në aeroport”, theksohet në komunikatë.

IKSHPK rekomandon këto masa parandaluese të sigurisë:

• Rreziku mbetet akoma i ulët, OBSH nuk rekomandon matjen e temperaturës së udhëtarëve të cilët vijnë në aeroport.

• Ekipi mjekësor të jetë të kontakt të vazhdueshëm me policinë në kontrollin e pikës kufitare, për udhëtarët të cilët e kanë vendin e origjinës së udhëtimit nga Kina.

• Në rast të të deklarimit që udhëtarët kanë vendin e origjinës nga Kina, atëherë duhet të bëhet:

Skriningu i temperaturës së udhëtarëve që arrijnë në ANP “Adem Jashari”

Kontrolli mjekësor i udhëtarëve të cilët kanë këto simptome:

Ethe dhe simptomat të traktit respirator (p.sh., kollë, vështirësi në frymëmarrje) dhe në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka udhëtuar nga qyteti Wuhan, Kinë.

Në 14 ditët e fundit para fillimit të simptomave, ka qenë në kontakt të ngushtë me personin i cili është duke u hulumtuar për 2019-nCoV ose person të sëmurë dhe të konfirmuar nga laboratori 2019-nCoV.

• Raportimi dhe njoftimi i menjëhershëm i IKShPK.

• Larja e shpeshtë e duarve, veçanërisht pas kontaktit të drejtpërdrejtë me njerëzit e sëmurë ose në vendqëndrimin e tyre.

• Rreziku i importimit të sëmundjes mund të zvogëlohet nëse kontrollimi i temperaturës gjatë hyrjes shoqërohet me zbulimin e hershëm të udhëtarëve simptomatikë dhe referimin e tyre për ofrimin e ndihmës mjekësore.

• Shpërndarja e mesazheve të komunikimit të rrezikut në aeroport. Kjo mund të bëhet përmes posterave, fletëpalosjeve dhe komunikimit direkt, duke synuar rritjen e vetëdijes së udhëtarëve për shenjat dhe simptomat e sëmundjes, dhe inkurajimin që të kërkojnë ndihmë mjekësore menjëherë dhe raportimin e historisë së tyre të udhëtimit.

• Ekuipazhi i aeroplanit duhet të ndjekë procedurat operacionale të rekomanduara nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA) në lidhje me menaxhimin e personave të dyshimtë në sëmundje ngjitëse në bordin e aeroplanit.

Në rast të ndryshimit apo përkeqësimit të situatës rekomandimet mund të pësojnë ndryshime dhe do të informoheni me kohë./Motilokal.com