PPNEA kërkon drejtësi: Tragjedia e rrëqebullit të Ballkanit të vrarë dy herë!

PPNEA kërkon drejtësi: Tragjedia e rrëqebullit të Ballkanit të vrarë dy herë!

Shoqata e Ruajtjes dhe e Mbrojtjes së Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA) ka bërë thirrje sot, duke sjellë sërish në vëmendje rastin makabër të rrëqebullit të Ballkanit. Rrëqebulli u gjet i vrarë dhe trupi i tij u ekspozua paturpësisht në ambientet e një restoranti të njohur në qytetin e Elbasanit. Pavarësisht se ky akt mizor u denoncua për publikun e gjerë dhe autoritetet në vitin 2020, Gjykata dhe Prokuroria kanë dështuar ti japin një zgjidhje për çështjen me seriozitetin e duhur.

“Por nesër më 23 mars, presim që drejtësia të vendoset njëherë e mirë, teksa do të mbahet seanca e radhës pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Elbasan”, thotë PPNEA. 

PPNEA, e mbushur me vendosmëri për të mbrojtur natyrën dhe gjithë çfarë përfaqëson atë, i lutet institucioneve përkatëse që të trajtojnë me seriozitetin e duhur çështjen dhe të ndërmarrin masa për të ndalur krime të tilla të rënda mjedisore. Raporti i fundit i BE-së për Shqipërinë thekson rritjen e rasteve të krimeve mjedisore dhe vrasjen e një individi të rrëqebullit të Ballkanit në Elbasan, që ende sot nuk është ndjekur penalisht.

“Rrëqebulli i Ballkanit, një lloj rrezikuar në mënyrë kritike për zhdukje sipas IUCN-së, dhe i mbrojtur prej ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare, mban një status të rëndësishëm në listën e kuqe. Mbijetesa e tij është thelbësore jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithë globin. Vetë Konventa e Bernës e detyron qeverinë shqiptare të angazhohet në ruajtjen dhe mbrojtjen e këtij lloji”, njofton PPNEA.

PPNEA thekson se ka ardhur momenti që të gjithë të reagojmë fort ndaj krimeve mjedisore dhe të ndërmarrim masa ndaj këtyre krimeve të cilat rrezikojnë ekzistencën e këtij lloji të mrekullueshëm.

/Motilokal.com