Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, gjatë raportimit para Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim u shpreh se kërkesat e banorëve në zonën e Parkut Kombëtar janë respektuar. Gjatë shqyrtimit të Planit Hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, Aliu tha se në zonën e dytë të këtij parku do të lejohet prerja e pyjeve, por duhet të jetë e planifikuar.
Ministri i MMPHI-së, Liburn Aliu, para anëtarëve të Komisionit theksoi se kjo zone ka rregulla dhe se nuk është zonë private. Ai pohoi se këto zona kanë pyje dhe kullosa, por që për t’u shfrytëzuar nga banorët duhet të kenë bazë.
Tutje, lidhur me Planin Hapësinor të Parkut Kombëtar “Bjeshkët e Nemuna”, ai tha se është i gatshëm për votim në Kuvend. Sipas tij, banorët e asaj ane kanë kërkuar që përreth Parkut të lejohen ndërtime, prerja e pyjeve etj.
Mirëpo, ministri Aliu, tha se një gjë e tillë nuk lejohet meqë, sipas tij, motiv kryesor i MMPHI-së është mbrojtja dhe rregullimi i natyrës. Ndër të tjera, ministri Aliu tha se draftligji për këtë zonë ka përfunduar dhe është i gatshëm për votim dhe se Parku Nacional është shpallë park i mbrojtur me ligj. Ndërkaq, sipas tij, parashihet zoonimi i tri zonave më këtë park, në të cilat ka bimë e faunë të rrezikuar, ngase sipas ministrit, në atë zonë ka vlera të veçanta dhe nuk duhet të ketë ndërtime private.
Më pas, ministri deklaroi se në parqet nacionale nuk duhet të lejohet ndërtimi, duke theksuar se pyjet mund të shfrytëzohen vetëm sipas planit. Krahas kësaj, ai vuri në pah se ngjeshja e ndërtimeve në Parkun Nacional e degradon natyrën, ngase sipas tij, standardet e ndërtimin duhet të jenë përtej këndvështrimit urban.
/Motilokal.com