2 Shkurt - Dita Botërore e Ligatinave

2 Shkurt - Dita Botërore e Ligatinave

Ligatinat janë ekosisteme ku uji është faktori kryesor që kontrollon mjedisin dhe jetën e lidhur me bimët dhe kafshët. Një përkufizim i gjerë i ligatinave përfshin ujërat e ëmbla, ekosistemet detare e bregdetare, si të gjitha liqenet, lumenjtë, akuiferët nëntokësorë, kënetat, kullotat e lagështa, tokat torfe, oazet, grykëderdhjet, deltat, zona të tjera bregdetare, shkëmbinj nënujorë koralorë dhe të gjitha vendet e krijuara nga njeriu si pellgjet e peshkut, orizit, rezervuarët e kriporet.

Këto toka janë kritike për njerëzit dhe natyrën, duke pasur parasysh vlerën e brendshme të këtyre ekosistemeve, përfitimet dhe shërbimet e tyre, duke përfshirë kontributet e tyre mjedisore, klimatike, ekologjike, sociale, ekonomike, shkencore, arsimore, kulturore, rekreative, estetike për zhvillimin e qëndrueshëm dhe njerëzor.

Megjithëse ato mbulojnë vetëm rreth 6 për qind të sipërfaqes së Tokës, 40 për qind e të gjitha specieve bimore dhe shtazore jetojnë ose shumohen në ligatina. Biodiversiteti i ligatinave ka rëndësi për shëndetin tonë, furnizimin tonë ushqimor, për turizmin dhe për vendet e punës. Ligatinat janë jetike për njerëzit, për ekosistemet e tjera dhe për klimën tonë, duke ofruar shërbime thelbësore të ekosistemit si rregullimi i ujit, duke përfshirë kontrollin e përmbytjeve dhe pastrimin e ujit. Më shumë se një miliard njerëz në mbarë botën varen nga ligatinat për jetesën e tyre, kjo është rreth një në tetë njerëz në Tokë.

Pse janë në rrezik

Ligatinat janë ndër ekosistemet me shkallën më të lartë të rënies, humbjes dhe degradimit. Treguesit e tendencave aktuale negative në biodiversitetin global dhe funksionet e ekosistemit parashikohen të vazhdojnë në përgjigje të nxitësve të drejtpërdrejtë dhe të tërthortë si rritja e shpejtë e popullsisë njerëzore, prodhimi dhe konsumi i paqëndrueshëm, zhvillimi teknologjik i lidhur, si dhe ndikimet negative të ndryshimeve klimatike.

Ligatinat po zhduken tre herë më shpejt se pyjet dhe janë ekosistemi më i kërcënuar i Tokës. Në vetëm 50 vjet, që nga viti 1970, 35% e ligatinave në botë janë humbur. Aktivitetet njerëzore që çojnë në humbjen e ligatinave përfshijnë kullimin, mbushjen për bujqësi, ndërtim, ndotjen, mbipeshkimin, mbishfrytëzimin e burimeve, speciet pushtuese dhe ndryshimet klimatike.

Ky rreth vicioz i humbjes së ligatinave, e jetesës së kërcënuar dhe e thellimit të varfërisë është rezultat i të parëve gabimisht ligatinat si djerrina dhe jo si burime jetëdhënëse pune, të ardhurash e shërbimesh thelbësore të ekosistemit. Një sfidë kryesore është ndryshimi i mentalitetit për të inkurajuar qeveritë dhe komunitetet që të vlerësojnë dhe t'i japin përparësi ligatinave.

Si i luftojnë ligatinat ndryshimet klimatike?

Ligatinat janë një zgjidhje e natyrshme për kërcënimin global që përcakton epokën e ndryshimit të klimës. Ato thithin dioksidin e karbonit, kështu që ndihmojnë në ngadalësimin e ngrohjes globale dhe reduktimin e ndotjes, prandaj shpesh janë referuar si "Veshkat e Tokës". Vetëm tokat torfe ruajnë dy herë më shumë karbon sesa të gjitha pyjet e botës së bashku. Por, kur thahen dhe shkatërrohen, ligatinat lëshojnë sasi të mëdha karboni.

Ligatinat sigurojnë gjithashtu një mbrojtës kundër ndikimeve të përmbytjeve, thatësirave, uraganeve, cunamit dhe ndërtojnë elasticitet ndaj ndryshimeve klimatike.

Çfarë mund të bëjmë

Është urgjente që të rrisim ndërgjegjësimin kombëtar dhe global për ligatinat, në mënyrë që të rikthejmë humbjen e shpejtë të tyre dhe të inkurajojmë veprimet për ruajtjen dhe restaurimin e tyre. Dita Botërore e Ligatinave është koha ideale për të rritur të kuptuarit e njerëzve për këto ekosisteme të rëndësishme.

"Të rehabilitojmë ligatinat e degraduara" është tema për vitin 2023, duke theksuar rëndësinë e restaurimit të ligatinave, pasi ligatinat e restauruara mirë mund të ofrojnë shumë nga shërbimet e kryera nga ligatinat origjinale natyrore.

Një thirrje urgjente për të ndërmarrë veprime e për të investuar kapital financiar, njerëzor dhe politik është apeli i këtij viti për të shpëtuar ligatinat e botës nga zhdukja e plotë, për të rivendosur ato që kemi humbur tashmë.

/Motilokal.com