Ujku i maleve të Kosovës

Ujku i maleve të Kosovës

Ujku është kafsha më e madhe e llojit të qenve në Evropë, Azi dhe në Amerikën Veriore. Ai vrapon shume shpejt dhe ka rezistence të madhe. Si çdo përfaqësues i kësaj familjeje, ujku nxiton dhe mban vrapin për një kohë të gjatë. Shqisat e të dëgjuarit dhe të nuhaturit i ka shumë më të zhvilluara se shqisën e të parit. Ujku jetën e tij e gjallëron përbrenda familjes apo ndonjë grupi të llojit të vet të përbërë nga 10 deri 15 anëtarë. Shkon së bashku në grup në gjueti. Ujqërit kanë ulërima unike, si shenjat e gishtërinjve, që shkencëtarët mund t’i përdorin t’i tregojnë ato veç e veç.

Ju njohim me disa të dhëna për Ujkun gri në Kosovë nga Libri i Kuq për florën dhe faunën dhe një fotografi të shkrepur nga Arian Mavriqi.

Ka një gjatësi trupore prej 105 – 160 cm, lartësi prej 80 – 85 cm, bishtin prej 29 – 50 cm dhe peshën trupore prej 12 – 80 kg (Foresman 2012). Te femrat, këto përmasa janë më të vogla. Është kafshë sociale dhe rrallë mund të haset e vetmuar, madje kryesisht gjatë verës. Anëtarët e shoqërisë zakonisht sillen prej 5 deri në 40. Jetojnë në grupe sociale, të udhëhequra nga mashkulli alfa me femrën. Është kafshë e shpejtë dhe mjaft e fuqishme. Zhvillon luftë të ashpër për territor, saqë vdekshmëria e tyre nëpër beteja sillet prej 14 – 65 %. Ushqim kryesor i kanë ungulatet me peshë 20 – 100 kg. Jetëgjatësia arrin deri në 16 vjet.

Lloji i habitatit: 1. Pyje; 3. Shkurre; 4. Kullosa; 5. Vende ujore (kontinentale); 6. Zona shkëmbore (p.sh., shkëmbinj kontinentalë, maja malore); 14. Artiiciale/tokësore. Ky lloj mund të haset në habitate të ndryshme. Gjatë dimrit kryesisht haset në vise të ulëta, por mund të haset edhe në vise të larta malore, fusha të hapura, kullosa etj.


Lloji më i përhapur në botë i gjitarëve. Haset përgjatë hemisferës veriore në veri të gjatësisë 15˚ në Amerikën Veriore dhe 12˚ N në Indi.

Përhapja në Kosovë

Pouska, Bjeshkët e Junikut, Gajre, Nerodime e Ulët, Sedenicë, Sukë, Tunaj, Sukë e Prapë, Novobërdë, Tërpezë, Malishevë, Dërsnik, Klinë, Qyqavicë, Potok, Qabiq, Zijaq, Zhiti, Sinejë, Koritnik, Llanisht.

Trendi i popullatës: I qëndrueshëm Nënpopullatat e këtij lloji janë stabile në Kosovë, por edhe në vendet fqinje.

Ky lloj është vlerësuar në kategorinë: Shqetësim më i Vogël, për shkak të numrit relativisht të madh të lokaliteteve ku është gjetur dhe qëndrueshmërisë së nënpopullatave. Me gjasë, numri i nënpopullatave është më i madh në Kosovë.

Aktualisht në Kosovë nuk ka ndonjë kërcënim për këtë lloj.

Lloji është i mbrojtur (Udhëzimi Administrativ Nr. 18/2012 Për Shpalljen e Llojeve të Egra të Mbrojtura dhe Strikt të Mbrojtura).

/Motilokal.com