Zbulohet një lloj i ri shpendi në Shqipëri

Zbulohet një lloj i ri shpendi në Shqipëri

Sot në 110 vjetorin e Pavarësisë së vendit, kemi kënaqësinë të ndajmë me ju lajmin e mirë të vrojtimit të një lloji të ri shpendi për Shqipërinë. Bëhet fjalë për cërlën e dëborës (Plectrophenax nivalis), prania e së cilës u regjistrua për herë të parë në Shqipëri ditën e djeshme datë 27 nëntor 2022, në ligatinën e Durrësit nga ornitologu ynë Mirjan Topi, ka njoftuar Qendra për Studimin dhe Ruajtjen e Shpendëve të Shqipërisë.

Sipas njoftimit cërla e dëborës, folezon në pjesën arktike të globit dhe dimëron në pjesët qendrore të Palearktikut dhe Nearktikut. Në Evropë, shtrirja normale më jugore e dimërimit përfaqësohet nga Rumania Veriore.

“Vrojtime të rralla të këtij lloji në afërsi të vendit tonë janë raportuar në vendet fqinje të Italisë dhe Greqisë. Vitin e kaluar së paku dy vrojtime të këtij lloji janë raportuar edhe në Bullgari. Ky lloj e çon në 364 numrin e llojeve të shpendëve të egër në listën e Shqipërisë”, theksohet në njoftim.

/Motilokal.com