Kumbaro: Vetëm 6% e ujërave problematike nga 40% në vitin 2015

Kumbaro: Vetëm 6% e ujërave problematike nga 40% në vitin 2015

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro priti sot në një takim Luc Bas, drejtor i Agjencisë Europiane të Mjedisit (EEA).

“Pas takimit të parë në Konferencën Ministrore të Qipros, ja ku rishihemi me ekipet tona në Ministrinë e Turizmit dhe të Mjedisit me Agjencinë Kombëtare të Mjedisit, dhe miq e kolegë të Universitetit Bujqësor të Tiranës, Institutit të Shëndetit Publik”, u shpreh Kumbaro.

Kumbaro tha se është e nevojshme dhe e vyer ndihma e EEA-së për të forcuar asistencën teknike në fushën e ajrit dhe infrastrukturës raportuese, në cilësinë e ujërave, në fushën e mbetjeve, atë të biodiversitetit, por edhe ngritjen e sistemeve mjedisore informative.

Tutje ajo theksoi se Agjencia Europiane e Mjedisit na ka konfirmuar se 40% e ujërave ishin problematike në vitin 2015, ndërsa aktualisht 6% mbeten të tillë për të shkuar shumë shpejt drejt pastrimit total të tyre, çka do të thotë se jemi në rrugën e duhur, por edhe më shumë duhet bërë për shëndetin tonë, por edhe për kapitullin 27 të mjedisit që është më angazhuesi dhe voluminozi për integrimin në BE.

“Aktualisht jemi bashkëpunëtorë të Agjencisë Europiane të Mjedisit dhe të Rrjetit Europian të Vëzhgimit dhe Informacioni Mjedisor EIONET me raportime të rregullta, e së shpejti do të bëhemi anëtarë të plotë”, tha ministrja Kumbaro.

/Motilokal.com