Maqedoni, hetohet ndotja e Pelenicës

Maqedoni, hetohet ndotja e Pelenicës

Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor e Maqedonisë ka siguruar mjete financiare për realizimin e një hetimi të detajuar të lokacionit Pelenicë - Rupë, vendbanimi Draçevë, në bazë të informacioneve paraprake që tregojnë se kompania OHIS ka depozituar një sasi të caktuar të mbeturinave HCH në këtë lokacion në vitin 1976.

Sipas njoftimit të ministrisë mbeturinat HCH paketoheshin në fuçi metalike dhe ato depozitoheshin në dy gropa të hapura në lokacionin e lartpërmendur. Gropat ishin të veshura me mure betoni dhe të mbuluara me dhe. Studimi i detajuar do të përfshijë: gërmimin e sondave dhe grumbullimin dhe analizën e mostrave të mbeturinave/dheut; shpimin e puseve dhe marrja dhe analizimi i mostrave të mbeturinave/dheut; instalimin e puseve të monitorimit të ujërave nëntokësore dhe marrjen dhe analizimin e mostrave të ujërave nëntokësore.

“Analiza e mostrave do të kryhet në Eurofins, një laborator i njohur në Holandë. Bazuar në rezultatet e marra, do të bëhet një vlerësim i shtrirjes dhe shkallës së ndotjes, do të propozohen opsionet për ripërtëritjen e lokacionit dhe do të vlerësohen kostot e opsioneve të propozuara për ripërtëritje”, thuhet në njoftim.

Ministria tregon se puna në terren pritet të përfundojë deri më 11 nëntor dhe raporti përfundimtar me të gjithë dokumentacionin dhe vlerësimet të dorëzohet deri në fund të vitit.

/Motilokal.com