Miliona euro nga taksa ekologjike – tymi i makinave vazhdon ta ndotë mjedisin dhe shëndetin e njeriut

Miliona euro nga taksa ekologjike – tymi i makinave vazhdon ta ndotë mjedisin dhe shëndetin e njeriut

Nga Shkëlzen Rrecaj

Qyngat e makinave brenda trafikut të dendur kudo në Kosovë, i prijnë listës së ndotësve të ajrit, bashkë me termocentralet e qymyrit dhe oxhaqet e shtëpive.

Tymi i zi i makinave nuk është i gjithi për shkak të vjetërsisë së tyre. Por, ka shumë makina më të reja që kanë probleme me lëshimin e tymit të zi. Kjo për shkak të bllokimit të filtrit partikular (DPF) që është një pajisje shtesë në sistemin e shkarkimit që është projektuar për të kapur grimcat e naftës ose "blozën" nga motori.

Në rast se filtri partikular arrin në një bllokim maksimal është e nevojshme të ç'montohet dhe të bëhet pastrimi nëse ka sukses ose vendosja e një të riut.

Sipas një autoservisi, i kontaktuar nga motilokal.com, më shumë se 70 % e makinave në Kosovë i heqin ose i shpojnë për të liruar tymin apo grimcat ndotëse, ku edhe zhbllokohet, duke e bërë kështu një ndotës tepër serioz të mjedisit ku jetojmë.

Arka e shtetit po mbushet nga taksa ekologjike, por asgjë për ambientin dhe për makinat ndotëse

Që nga viti 2012 në Kosovë ka hyrë në fuqi Ligji për taksën rrugore dhe ekologjike të automjeteve.

Çdo person që regjistron një automjet në Kosovë është i detyruar që ta paguajë taksën ekologjike, që sipas këtij ligji automjetet nën 3.5 ton duhet të paguajnë 10 euro, ndërsa ato mbi 3.5 ton paguajnë 30 euro.

Në vitin 2021 në Kosovë janë të regjistruara 397,935 mjete motorike dhe jo motorike.

Nga të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) në Kosovë gjatë vitit 2021 janë regjistruar mbi 322 mijë makina, llogaritur me taksën prej 10 eurove, arka e shtetit inkason mbi 3 milion euro.

Ndërkaq, gjatë vitit 2021 janë regjistruar mbi 42 mijë automjete nën 3.5 ton, duke llogaritur taksën prej 10 euro, shteti i Kosovës ka inkasuar çdo vit mesatarisht mbi 420 mijë euro nga këto automjete.

Mjetet motorike dhe jo motorike të regjistruara 2011-2021: Burimi ASK

Ndërsa, sipas ASK-së, në Kosovë gjatë vitit 2021 janë regjistruar mbi 21 mijë automjete transportuese mbi 3.5 ton, duke e llogaritur me taksën ekologjike prej 30 eurove, i bie që arka e shtetit të Kosovës inkason çdo vit mesatarisht 630 mijë euro nga taksa ekologjike për automjetet mbi 3.5 ton.

Taksa ekologjike e paguar nga automjetet e regjistruara vetëm gjatë vitit 2021 ka kontribuar me rreth 4.5 milion euro në buxhetin e shtetit. Megjithatë, zgjidhja për ndotësit e përditshëm nuk po shihet në horizont për shkak të mungesës së kontrollit të këtyre makinave që lehtësisht i kryejnë kontrollet teknike.

Në një përgjigjeje për Motilokal nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit, Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) thuhet se për momentin në Qendrat e Kontrollimit Teknik të Automjeteve, bëhet testimi i gazrave dalëse të automjeteve, vetëm si fazë testuese. Rezultati që merret gjatë testimit të matjes së gazrave, nuk ndikon që pronarit të automjetit qoftë person fizik apo juridik, të mos i lëshohet certifikata mbi konfirmimin e rregullsisë teknike të automjetit.

“Vendimi i Ministrit të Infrastrukturës dhe Transportit, i nxjerrë me datë 29.08.2019 me protokollin nr. 9410, i obligon Qendrat e Kontrollimit Teknik të Automjeteve, që testimi i gazrave dalëse të automjeteve, të bëhet deri tek norma/niveli euro 5”, thotë MMPHI.

MMPHI thotë se bazuar në nenin 76 paragrafi 3, të Ligjit Nr. 05/L-132 Për Automjete, automjetet e reja 4 (katër) vite pas regjistrimit të parë, janë të liruara nga kontrollimi teknik vjetor me rastin e regjistrimit të tyre.

Sipas informacionit që ka Motilokal nga një autoservis shumë drejtues të automjeteve po i heqin partikular filtrat, ndërsa MMPHI nuk ka një informacion të tillë.

“Divizioni i Inspektimit për Kontrolle Teknike, nuk ka njohuri se pronarët e automjeteve, janë duke i hequr filtrat partikular në automjetet e tyre”, thanë nga MMPHI për Motilokal.

Tutje në përgjigjejet e Motilokal thuhet se ministria tani është në fazën finale të nxjerrjes së Udhëzimit të Ri Administrativ Për Kontrollimin Teknik të Automjeteve, dhe ne besojmë se shumë çështje do të definohen saktë me Udhëzimin e Ri Administrativ, edhe sa i përket matjes së gazrave, si dhe normës/nivelit euro, i cili do të aplikohet tek automjetet gjatë testimit të matjes së gazrave.

Ndotja e ambientit dhe shëndetit të njeriut

Në një prononcim për Motilokal.com ambientalistja Nora Simitçiut nga organizata “EC ma Ndryshe” tha se në kontekstin e ndotjes mjedisore, makinat të cilat nuk i përmbushin kriteret ekologjike konsiderohen si një nga burimet më të mëdha të ndotësve, të cilët përmbajnë gazra serrë që i shkaktojnë ndryshimet klimatike dhe e kërcënojnë rëndë shëndetin e njeriut.

Nora Simitçiu, ambientaliste

“Në botën e zhvilluar, prodhuesit e makinave po përpiqen vazhdimisht të zvogëlojnë ndikimin e tyre mjedisor duke vendosur filtër specifik që e parandalojnë zbarkimin e grimcave ndotëse në ambient. Në Kosovë fatkeqësisht shumica e automjeteve që sot qarkullojnë janë më të vjetra se 10 vjet dhe e përdorin naftën si lëndë djegëse duke mos e përmbushur asnjë kriter mjedisor. Dihet se përdorimi i kësaj lënde djegëse dhe makinat pa filtër sjellin praninë e substancave helmuese në ajër dhe grimcave PM të cilat janë shkaktarë të sëmundjeve respiratore, kancerogjene dhe kardiovaskulare”, u shpreh Simitçiu.

Sipas ambientalistës Simitçiu, smogu, monoksidi i karbonit dhe toksinat e tjera të emetuara nga automjetet janë veçanërisht shqetësuese për shkak se efekti i tyre negativ përveç ajrit përqendrohet edhe në ujë dhe në tokë. Këto materie që burojnë nga motori i një veture që nuk i përmbush standardet ekologjike shkakton shirat acidikë të cilat i dëmtojnë të korrat, pyjet, bimësinë dhe njëkohësisht kontaminojnë lumenjtë, liqenet dhe ligatinat.

Ajo theksoi se transporti rrugor konsiderohet si burimi më i madh i ndotjes së ajrit jo vetëm në Kosovë por edhe në botë, dhe sot përmes grimcave që burojnë nga një veturë e zakonshme temperaturat globale janë rritur duke ndikuar direkt në florën, faunën, prodhimet bujqësore, nivelin e detit dhe jetesën e njeriut.

“Për institucionet udhëheqëse do të rekomandohej që t’i shtonin investimet e tyre në krijimin e një rrjeti urban dhe ndërurban të transportit publik i cili do të ishte i qëndrueshëm, eko-miqësor dhe fleksibil për përdorim nga qytetarët; si dhe krijimi i shtigjeve të ecjes dhe për çiklizëm do të ndikonin dukshëm në reduktim të përdorimit të makinave. Po ashtu, në vendin tonë duhet të miratohen politika të cilat do ta motivonin përdorimin e transportit të gjelbër dhe të mos vazhdohet ashtu siç edhe po ndodh tani ku një pronar i veturës hibride paguan taksë ekologjike në shumë të njëjtë me një pronar që djeg lëndë djegëse në veturën e tij”, deklaroi në fund ambientalistja Simitçiu.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) nga niveli i ndotjes së ajrit në Kosovë shkaktohen mbi 800 vdekje të parakohshme në vit.

Dr. Besim Morina, pulmolog në Klinikën e Pulmologjisë në Prishtinë, për Motilokal.com u shpreh se ndotësit kryesorë të ajrit janë ozoni, dioksidi i sulfurit, monoksidi i karbonit, oksidet e azotit dhe materiet grimcore.

“Ndotësit grimcorë apo materiet grimcore zakonisht njihen si PM, paraqesin grimca shumë të vogla solide apo të lëngshme të cilat rrinë pezull në ajër. Ndotja me grimca më së shpeshti vjen nga makinat, djegia e drunjve dhe qymyrit, termocentralet, rrugët e paasfaltuara dhe industria”, tha doktor Morina.

Dr. Besim Morina, pulmolog

“Këto grimca kanë madhësi të ndryshme. Ato me diametër të madh janë më pak të rrezikshme pasi ato ndalen në hundë dhe rrugët e frymëmarrjes. Materiet grimcore më të vogla se 10 mikrometër e sidomos ato më të vogla se 2.5 mikrometër paraqesin rrezikun më të madh për shëndetin, pasi këto shpërndahen në tërë trupin, kështu që efektet e dëmshme të tyre nuk kufizohen vetëm në mushkëri por edhe në organet tjera si zemër, enë të gjakut, tru etj”, deklaroi ai.

Mjeku Morina theksoi se ndotja e ajrit shkakton një sërë efektesh në shëndetin tonë. Ekzistojnë shumë studime të cilat e ndërlidhin ndotjen me sëmundjet e mushkërive dhe të zemrës.

“Ekspozimi për një kohë të shkurtë, pra nga disa orë në ditë, zakonisht ndikon në përkeqësimin e sëmundjeve paraekzistuese. Kështu përveç irritimit të syve, hundës dhe fytit, ekspozimi afatshkurtër ndaj ndotjes me materie grimcore mund të shkaktojë keqësimin e sëmundjeve të mushkërive si astma bronkiale apo bronkiti kronik, rritë mundësinë e sulmeve në zemër, çrregullimin e ritmit të saj, dhe si përfundim e rrit numrin e të shtruarve në spital dhe të vdekjeve të parakohshme nga sëmundjet e frymëmarrjes dhe të zemrës”, u shpreh mjeku Morina.

Më tej ai theksoi: “Në anën tjetër ekspozimi për një kohë të gjatë, me vite mund të shkaktojë paraqitjen e sëmundjeve të zemrës dhe frymëmarrjes dhe ta përshpejtojë shkallën e zhvillimit te tyre. Ekspozimi i gjatë ndaj ndotësve po ashtu çon në zvogëlimin e funksionit të mushkërive dhe shkurtimin e jetëgjatësisë”.

“Përveç ndotësve grimcor, ndotës të rëndësishëm janë edhe ozoni, monoksidi i karbonit, oksidet e azotit e dioksidi i sulfurit. Të gjitha këto, prodhohen parësisht nga makinat, sidomos ato që përdorin naftën si karburant. Këto japin efekte të drejtpërdrejta në sistemin tonë të frymëmarrjes, dioksidi i sulfurit dhe ozoni njihen si shkaktar të përkeqësimeve të sëmundjeve kronike respiratore si p.sh astma bronkiale e bronkiti”, tha për fund pulmologu Morina./Motilokal.com